Tech

Holanda investon 70 milionë euro në ndërtimin e fabrikës së Inteligjencës Artificiale!

Qeveria e Holandës ka shpallur një projekt të madh teknologjik me një investim prej 70 milionë eurosh, i cili synon ndërtimin e një qendre kombëtare për Inteligjencën Artificiale në qytetin verior të Groningenit. E quajtur ndryshe “fabrika e AI-së”, objekti pritet të shërbejë si një platformë hulumtuese për zhvillimin dhe aplikimin e teknologjisë së avancuar në fusha si bujqësia, energjia, shëndetësia dhe siguria. Ky projekt është pjesë e strategjisë së re të Holandës për të rritur pavarësinë teknologjike të Evropës dhe për të ulur varësinë nga fuqitë e mëdha si SHBA dhe Kina në sektorin e AI-së.

Përveç fondeve shtetërore, qeveria holandeze synon të sigurojë një financim të barabartë prej 70 milionë eurosh nga Bashkimi Evropian, ndërsa rajoni i Groningenit ka premtuar një kontribut shtesë prej 60 milionë eurosh. Sipas Ministrit të Ekonomisë, Vincent Karremans, ky investim nuk është thjesht një zgjedhje politike, por një domosdoshmëri për të garantuar të ardhmen digjitale dhe konkurrencën e kontinentit.

“Nëse nuk ndërtojmë kapacitetet tona, nuk mund të konkurrojmë në një botë të udhëhequr nga Inteligjenca Artificiale”-tha ai gjatë një deklarate për media. Punimet për ndërtimin e qendrës pritet të fillojnë në vitin 2026, ndërsa funksionimi i saj i plotë parashikohet të nisë në fillim të vitit 2027. Ndërkaq, një kompani holandeze krijoi një pajisje “Do it yourself” që ilustron atë që përdoruesit panë në ëndrrat e tyre natën e kaluar.

Kompania thotë se ka zhvilluar një mënyrë për të përdorur Inteligjencën Artificiale (Al) për të regjistruar ëndrrat. Modem Works, një grup mendimesh dhe studio dizajni me seli në Amsterdam, pretendon se Dream Recorder mund të kapë ëndrrat në “përkufizim ultra të ulët” dhe në çdo gjuhë. “Zgjohuni, thoni ëndrrën tuaj me zë të lartë dhe shikojeni atë të vijë në jetë”-thuhet në faqen e internetit të projektit.