Detaje të reja po dalin nga hetimi për krimin e zbuluar mbrëmë në Gemona (Udine) në Itali, ku mbeti i vrarë Alessandro Venier, 35 vjeç. Trupi i tij u nda në tre pjesë dhe siç dyshohet u vendos në një kosh të mbushur me gëlqere nga partnerja Marylin Castro Monsalvo, 30 vjeçe dhe nëna e tij, Lorena Venier, 62 vjeçe, të dyja të arrestuara.
Nga gjetjet fillestare të hetuesve, duket se shtylla kryesore e të ardhurave për të gjithë familjen (përveç tre të rriturve, edhe vajza gjashtëmuajshe të çiftit) ishte nëna e viktimës, kryeinfermiere në një spital. Gruaja e djalit, punonjëse sociale, para se të mbetej shtatzënë kishte qenë në depresion për njëfarë kohe e po trajtohej në një qendër të shëndetit mendor. Sipas fqinjëve, 35 vjeçari bënte punë të rastit, por nuk kishte punësim fiks.
Debatet, të bërtiturat dhe qortimet ishin të zakonshme në një familje që luftonte për të siguruar jetesën e që kishte vetëm një pagë të qëndrueshme për katër persona. Duket se Alessandro konsiderohej një barrë, veçanërisht nga nëna e tij që pati një jetë me sakrifica për të rritur e vetme djalin e braktisur nga babai i tij egjiptian. Siç raporton La Repubblica, natën e krimit, ai kishte premtuar të përgatiste darkën dhe më pas harroi. Dyshohet se nëna e tij e qortoi dhe ai u përgjigj me dhunë.
Nuk ka siguri për momentet që pasuan, të cilat çuan në vdekjen e Alessandro Venier-it. Një hipotezë është se dy gratë u frikësuan dhe u përpoqën ta qetësonin, ndoshta duke përdorur ilaçet e përshkruara për të. Një mbidozë e barnave mund ta ketë vrarë.
Por, po del edhe një mundësi e dytë: gratë e qetësuan qëllimisht e më pas e vranë me të njëjtën sëpatë që më vonë përdorën për të copëtuar trupin. Në këtë pikë, duket se është vrasje e paramenduar. Vendimi fillestar për të fshehur trupin mund të ketë rrjedhur nga frika e humbjes së fëmijës. Autopsia që pritet të kryhet në ditët në vijim, duhet të sqarojë se çfarë ka ndodhur, ndërsa dy gratë janë dërguar në një burg në Trieste dhe fëmija i çiftit, tashmë i është besuar shërbimeve sociale italiane.