Aktorja e njohur ukrainase Oksana Shvets ka ndërruar jetë në moshën 67-vjeçare, pasi banesa ku ndodhej në Kiev u godit nga raketat ruse. Lajmi i trishtë u bë i ditur nga Teatri i të Rinjve, ku ajo ishte pjesë e trupës. Kolegët shprehën ngushëllimet për vdekjen e saj. Në deklaratën e Teatrit shkruhej:
Gjatë bombardimeve me raketa të një ndërtese banimi në Kiev, u vra një artiste e merituar e Ukrainës, Oksana Shvets. Kujtim i ndritur për aktoren e talentuar! Nuk ka falje për armikun që ka ardhur në tokën tonë!

Vdekja e Shvets u raportua gjithashtu përmes mediave sociale nga llogaria në Twitter e ‘Kyiv Pos’t. Aktorja pati një karrierë shumë vjeçare në teatër dhe film. Ajo ishte një nga artistet më të arrira të vendit. Vdekja e Shvets pason atë të një aktori tjetër ukrainas, Pasha Lee, i cili vdiq në moshën 33-vjeçare pasi u regjistrua në Forcat e Mbrojtjes Territoriale të ushtrisë ukrainase.
Lee thuhet se iu bashkua Forcave të Armatosura të Ukrainës për të mbrojtur atdheun e tij gjatë pushtimit të vazhdueshëm. Vetëm dy ditë më parë, aktori kishte ndarë një postim në llogarinë e tij në Instagram, ku shihej bashkë me një kolege të veshur me uniformë ushtrie.
Ndërkaq, theksojmë se sot është dita e 22-të e luftës në Ukrainë dhe Moska vazhdon të bombardojë pa dallim qytete e fshatra në territorin e pushtuar prej 24 shkurtit. Ministria britanike e Mbrojtjes vlerëson se forcat ruse kanë shënuar “përparim minimal këtë javë”. Trupat ukrainase rreth Kievit dhe Mikolaivit “vazhdojnë të pengojnë përpjekjet ruse”. Qytetet Harkiv, Çernihiv, Sumi dhe Mariupol mbahen të rrethuara nga forcat e Moskës dhe përballen me bombardime të ashpra.