Parlamenti i Hungarisë miratoi ndryshimet kushtetuese që lejojnë qeverinë të ndalojë organizimet publike nga komuniteti LGBTQI+. Ekspertët ligjorë dhe kritikët folën për tjetër hap drejt autoritarizmit. Ndryshimi që kërkonte një shumicë prej dy të tretash, u miratua me 140 vota pro e 21 kundër dhe u propozua nga koalicioni qeverisës i kryeministrit populist Viktor Orbán.
Përpara votimit, politikanët e opozitës dhe të tjerë protestues tentuan të bllokonin hyrjen në parkingun e parlamentit. Policia largoi fizikisht demonstruesit, që ishin lidhur mes tyre.
Ndryshimi deklaron se të drejtat e fëmijëve për zhvillim moral, fizik e shpirtëror kanë përparësi ndaj çdo të drejte tjetër përveç të drejtës për jetën, duke përfshirë edhe atë për t’u tubuar në mënyrë paqësore. Legjislacioni i diskutueshëm për “mbrojtjen e fëmijëve” ndalon “përshkrimin ose promovimin” e homoseksualitetit për të miturit nën moshën 18 vjeç.
Ndryshimi e kthen në Kushtetutë një ligj të miratuar me procedurë të përshpejtuar në muajin mars e që ndalon ngjarjet publike të mbajtura nga komunitetet LGBTI+, përfshirë ngjarjen e njohur si Parada e Krenarisë, që mbledh në Budapest mijëra pjesëmarrës çdo vit.
Gjithashtu, ligji lejon autoritetet të përdorin teknologjinë për njohjen e fytyrës për të identifikuar personat që marrin pjesë në aktivitete të ndaluara, të tilla si Parada e Krenarisë.
David Bedo, një deputet i partisë opozitare Momentum që mori pjesë në përpjekjen për bllokadë, tha para votimit se Orban dhe Fidesz në 15 vitet e fundit “kanë shkatërruar demokracinë e sundimin e ligjit dhe në dy apo tre muajt e fundit, po shohim se ky proces është përshpejtuar.”
Ai shtoi se ndërsa po afrohen zgjedhjet e vitit 2026 dhe partia e Orbanit po ngec në sondazhe përballë një sfiduesi të ri të popullarizuar nga opozita, “ata do të bëjnë gjithçka që munden për të qëndruar në pushtet”.
Deputetët e opozitës tentuan që të ndërprejnë votimin, që vazhdoi pas disa momentesh.
Qeveria e Hungarisë ka bërë fushatë kundër komunitetit LGBTI+ vitet e fundit dhe argumenton se politikat e saj për “mbrojtjen e fëmijëve”, që ndalojnë qasjen për të miturit ndaj çdo materiali që përmend homoseksualitetin, janë të nevojshme për të mbrojtur fëmijët nga ajo që e quan “çmenduri gjinore.”