I shumëkërkuari i drejtësisë, Florenc Çapja, i dënuar në mungesë me burgim të përjetshëm për vrasjen e Nezir dhe Gentian Beqirit, babë e bir në Elbasan, do të ekstradohet pasditen e kësaj të premteje në Tiranë, pasi ishte arrestuar në Dubai.
“Policia e Shtetit, në vijim të bashkëpunimit mjaft të mirë me partnerët, si në aspekte hetimore, ashtu dhe në ato operacionale, dhe si rezultat i shkëmbimit të menjëhershëm të informacionit mes strukturave të specializuara për lokalizimim dhe kapjen e shtetasve në kërkim ndërkombëtar, me qëllim ekstradimin, pasditen e sotme, do të finalizojë me sukses një tjetër fazë të operacionit ndërkombëtar të koduar “The Wanted”. Në kuadër të këtij operacioni, pritet që pasditen e sotme, të finalizohet me sukses ekstradimi nga Dubai, i të shumëkërkuarit F. Ç., 44 vjeç, banues në Elbasan”, njofton policia.
Çapja akuzohet për disa krime për të cilat ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar. Gjykata e Lartë ka prishur vendimin e Gjykatës së Apelit të Durrësit që liroi nga qelia Florenc Çapjan, të akuzuar për vrasjen e mbetur në tentativë ndaj ish-policit Fadil Mema, ngjarje e ndodhur në Elbasan në vitin 2006.
Trupa e gjykimit e përbërë nga Ilir Panda, Sokol Binaj dhe Sandër Simoni shqyrtuan rekursin e prokurorisë, që kundërshtonte pushimin e çështjes ndaj Florenc Çapjas të dhënë nga gjyqtari Tomor Kullolli më 20 Nëntor 2019.
Pas hetimeve, SPAK që kërkon dënimin e tij me 25 vite burg për vrasjen e babë e bir, Nezir e Gentian Beqirit, në Elbasan në vitin 2012.
Përveç vrasjes së dyfishtë, Florenc Çapja është gjithashtu në kërkim edhe pas deklarimeve të Nuredin Dumanit, i cili pretendon se i ka ofruar shumën prej 200 mijë Eurosh për të vrarë Sokol Sanxhaktarin, dhëndrin e ish-kryetarit të Bashkisë Elbasan, Qazim Sejdini.
Çapja, 44 vjeç, është i dyshuar gjithashtu për një atentat të ndodhur në 2006-ën ndaj ish-policit Fadil Mema.