Aktualitet Politikë

Ilir Meta kërkon lirinë, Gjykata Kushtetuese cakton datën e gjyqit për ankimimin e tij!

Gjykata Kushtetuese do të shqyrtojë në datën 8 prill në orën 11:00 ankimimin e ish-Presidentit Ilir Meta, i cili kërkon rrëzimin e masës së sigurisë ‘arrest me burg’ të vendosur ndaj tij.

Në ankimimin e tij në Kushtetuese, Meta kërkon të shfuqizojë vendimet Shkallës së Parë të GJKKO-së, Apelit të Posaçëm dhe atë të Gjykatës së Lartë për lënien e tij në masën e sigurisë “arrest në burg”.

Kujtojmë se Meta po qëndron në qelitë e paraburgimit që prej tetorit të vitit 2024, pas akuzave për korrupsion, shpërdorim detyre dhe fshehje pasurie të ngritura ndaj tij nga SPAK.

Meta i ka cilësuar akuzat e ngritura ndaj tij si të motivuara politikisht, teksa ka pretenduar një trajtim jo të drejtë gjatë qëndrimit në qeli.

Pasi Apeli i GJKKO e la atë sërish në qeli,  Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka reaguar duke mos shprehur asnjë çudi nga “drejtësia me regji”, siç e quan ai.

Meta tha se gjykata iu shmang gjykimit të ankesës të avokatëve të tij kundër vendimit për vazhdimin e paraburgimit për të mos marrë përgjegjësi.

Sipas tij u provuan me fakte gënjeshtrat e prokurorëve për të manipuluar gjykatën me qëllim zgjatjen e paraburgimin.

“Asnjë çudi nga drejtësia me regji. Sot gjykata ju shmang gjykimit të ankesës të avokatëve të mi kundër vendimit për vazhdimin e paraburgimit për të mos marrë përgjegjësi.  U provuan qartë dhe me fakte gënjeshtrat e prokurorëve për të manipuluar gjykatën për të zgjatur në mënyrë tërësisht të paligjshme paraburgimin tim”, shkruan Meta.

Kërkesa e ish presidentit për lirim nga qelia është rrëzuar edhe më parë nga të tria shkallët e gjyqësorit që kanë vendosur ta lënë në burg.

Kreu i Partisë së Lirisë i është drejtuar edhe Gjykatës Kushtetuese, duke pretenduar se vendimet e tre shkallëve të gjyqësorit që kanë lënë në fuqi masën e arrestit janë antikushtetuese dhe cenojnë Konventën Europiane për të Drejtat e Njeriut.

Ilir Meta ndodhet në qeli prej tetorit 2024, dhe akuzohet nga SPAK për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje të pasurisë, në bashkëpunim, së bashku me ish-bashkëshorten e tij Monika Kryemadhi, dhe 3 të tjerë.