Instagram po shton një mjet të ri në arsenalin e tij të masave kundër ngacmimeve dhe bullizmit. Këtë herë, Meta po angazhon drejtpërdrejt zyrtarët shkollorë me qëllim për të përshpejtuar reagimin ndaj problemeve të sigurisë që ndikojnë te adoleshentët. Meta po prezanton të ashtuquajturin Programin e Partneritetit Shkollor, për t’u ofruar mësuesve dhe zyrtarëve të shkollave një mënyrë të re për të ndërhyrë kur nxënësit përjetojnë ngacmime në Instagram. Programi u ofron shkollave diçka që shumë prindër kanë kërkuar prej kohësh, një mënyrë për të ndjekur më shpejt raportimet në aplikacion, të cilat ndikojnë drejtpërdrejt te nxënësit.
Meta premton që raportimet nga shkollat pjesëmarrëse do të kenë përparësi në procesin e moderimit dhe do të marrin përgjigje brenda 48 orëve. Shkollat që bashkohen do të marrin gjithashtu një etiketë “partner shkollor” në profilet e tyre në Instagram dhe do të kenë qasje në informacione mbi përdorimin e mjeteve të raportimit dhe burimeve të tjera. Një zëdhënës i Instagramit tha se raportimet do të përshpejtohen përmes kanaleve ekzistuese të raportimit dhe se shkollat do të kenë mundësinë të shtojnë “kontekst shtesë” në raportimet e tyre.
Meta tashmë e ka testuar programin në bashkëpunim me 60 shkolla dhe pretendon se rezultatet janë premtuese. Tani, shkollat në SHBA mund të aplikojnë dhe të regjistrohen në listën e pritjes për këtë program të ri. Ndërkaq, Adam Mosseri është i bindur se shtimi i një veçorie mund të përmirësojë Instagramin. Gjatë një eventi të fundit AMA (ask me anything) me përdoruesit, shefi i Instagramit e bëri të qartë se çfarë duhet të marrë aplikacioni i njohur. Sipas tij, Instagram duhet të zbatojë një funksion të vogël, por të rëndësishëm, të cilin tashmë e kanë konkurrentët e tij si TikTok dhe YouTube – picture-in-picture (PIP). Kjo do të thotë që përdoruesit e Instagram-it së shpejti mund të jenë në gjendje të kryejnë shumë detyra në pajisjet e tyre, ndërkohë që shikojnë në të njëjtën kohë Reels dhe përmbajtje të tjera në aplikacion.