Numri i viktimave në Iran po rritet nga dita në ditë, teksa protestat kundër regjimit vijojnë në shumë qytete të vendit. Sipas organizatës së të drejtave të njeriut HRANA, me seli në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të paktën 544 persona janë vrarë në 15 ditët e fundit. Mes viktimave raportohet se janë edhe tetë fëmijë.
Po sipas të njëjtave burime, mbi 10 mijë e 600 persona u arrestuan dhe u dërguan në burgje. Autoritetet iraniane kanë ndërprerë internetin e linjat telefonike për më shumë se 84 orë. Kjo ka vështirësuar verifikimin e plotë të situatës dhe numrit real të viktimave në terren.
Ndërkohë, Garda Revolucionare e Iranit ka akuzuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës për ndërhyrje në punët e brendshme të vendit. Në një deklaratë zyrtare, i cilësoi protestat si kryengritje të dhunshme dhe fajësoi SHBA-të për nxitjen e tyre.
Nga ana tjetër, presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se udhëheqësit iranianë kanë kontaktuar Shtëpinë e Bardhë dhe kërkojnë negociata. Trump tha se një takim po planifikohet, por paralajmëroi se ushtria amerikane po shqyrton opsione të forta.
Ndërkaq, vuri në dukje se Amerika mund të veprojë edhe përpara se të zhvillohet takimi. Protestat nisën më 28 dhjetor për shkak të rritjes së çmimeve dhe janë shndërruar në thirrje të hapura kundër regjimit që drejton Iranin prej vitit 1979.