Izraeli ka mirëpritur rezolutën e miratuar sot në Kuvend duke e shpallur Iranin si shtet sponsor të terrorizmit.
Ministri i Jashtëm izraelit, Gideon Sa’ar e cilëson rezolutën e miratuar nga Kuvendi si historike, ndërsa shton se kjo është një tjetër dëshmi e dimensionit të qartë moral në politikën e jashtme të Shqipërisë.
“E vlerësoj kryeministrin shqiptar @ediramaal dhe Kuvendit të Shqipërisë për rezolutën historike të miratuar sot, duke e shpallur Republikën Islamike të Iranit një shtet mbështetës të terrorizmit.
Sipas fjalëve të rezolutës: Terrorizmi në të gjitha format e tij përbën një nga kërcënimet më serioze për shoqëritë demokratike. Ky është një tjetër demonstrim i dimensionit të qartë moral në politikën e jashtme të Shqipërisë”, ka shkruar ai.
Kuvendi e miratoi sot rezolutën që shpall Iranin shtet sponsor të terrorizmit me 79 vota të socialistëve, pasi opozita bojkotoi seancën. Pati vetëm një abstenim nga deputeti i Lëvizjes Bashkë, Redi Muçi, por prezent nga radhët e opozitës ishte edhe deputeti i partisë Mundësia Erald Kapri.