Agjencia e Iranit për Energjinë Bërthamore njoftoi se Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Izraeli, sërish sulmuan objektin për pasurimin e uraniumit në Natanz, i njohur si Kompleksi i Pasurimit “Martiri Ahmadi-Roshan”. Por, nuk raportoi për rrjedhje të materialeve radioaktive.
Teksa dënoi sulmin, tha se është “në shkelje të ligjeve dhe detyrimeve ndërkombëtare, përfshirë të Traktatit Ndërkombëtar për Mospërhapje të Armëve Bërthamore [NPT] e të tjera rregullore të lidhura me sigurinë bërthamore”.
U kryen hetime teknike dhe ekspertizë lidhur me mundësinë e përhapjes së ndotjes radioaktive e nuk është raportuar asnjë rrjedhje e materialeve radioaktive në këtë kompleks. Banorët në zonat përreth, nuk përballen me rrezik, u theksua në një deklaratë.
Lidhur me këtë raportim, reagoi Agjencia Ndërkombëtare për Energjinë Bërthamore (AIEA), duke thënë se Irani e njoftoi për sulmin në objektin Natanz.
Në X, agjencia shkroi se nuk është raportuar rritje e nivelit të rrezatimit jashtë ndërtesës, duke shtuar se po heton.
Drejtori i përgjithshëm i IAEA-së, Rafael Grossi, përsëriti thirrjen për “përmbajtje ushtarake, për të parandaluar një aksident bërthamor”.
Kjo është të paktën e dyta herë që objekti i Natanzit është shënjestruar gjatë luftës së SHBA-ve e Izraelit me Iranin, që filloi më 28 shkurt.
Natanz u godit nga bombarduesit amerikanë B-2 më 1 korrik 2025 gjatë luftës 12-ditore të Izraelit me Iranin. Në atë kohë, presidenti amerikan, Donald Trump, tha se objekti ishte “plotësisht e absolutisht” i shkatërruar.