Bota Lajmet e fundit

Ish-presidenti francez Sarkozy në burg: E vërteta do të triumfojë!

Ish-presidenti francez, Nicolas Sarkozy shkoi në burgun La Santé, ku do të vuajë dënimin me 5 vjet heqje lirie, në lidhje me financimin e supozuar libian të fushatës së tij zgjedhore të vitit 2007. Në moshën 70 vjeç, ai bëhet i pari ish-president i Bashkimit Europian që burgoset.

Avokatët e ish-presidentit francez njoftuan se kanë paraqitur kërkesë për lirimin e klientit të tyre, menjëherë pas burgosjes.

Teksa flasim, kërkesa për lirim është paraqitur, konfirmoi avokati Christophe Ingrain për BFMTV. Nuk ka rrezik për përsëritje të krimit, as për shkatërrim të provave. Nuk ka prova e as presion mbi dëshmitarët.

Gjykata e Apelit ka dy muaj për të vendosur mbi kërkesën për lirim, ndërsa koha mesatare në Paris është një muaj.

Me nxitjen e djalit Louis, familja, miqtë dhe rreth 100 mbështetës u mblodhën para shtëpisë së ish-presidentit francez në lagjen e 16-të të Parisit. Sarkozy doli në këmbë, i shoqëruar nga bashkëshortja, Carla Bruni dhe ecën mes duartrokitjeve të turmës. Pasi përshëndeti mbështetësit, ish-presidenti hipi në një makinë.

Gjatë rrugës nga shtëpia e tij, për në burgun parizien La Santé, Sarkozy postoi një mesazh në X:

Ndërsa përgatitem të kaloj muret e burgut, mendimet e mia janë për popullin francez. Me forcë të palëkundur, dua t’i them se nuk është një ish-president i Republikës që po burgoset, por një njeri i pafajshëm. Do të vazhdoj ta denoncoj këtë skandal gjyqësor, këtë përvojë të vështirë që kam duruar për më shumë se dhjetë vjet.

Më tej, Sarkozy shtoi:

Ndjej dhimbje të thellë për Francën, të poshtëruar nga shprehja e një hakmarrjeje që e ka çuar urrejtjen në një nivel të paparë. Nuk kam dyshim se e vërteta do të triumfojë. Por çmimi që duhet paguar do të jetë i madh.