Gossip

Ish-ylli i filmave për të rritur Austin Wolfe dënohet me 19 vite burg për abuzim me të mitur?

Ish-aktor i filmave për të rritur, Austin Wolfe, me emrin e vërtetë Justin Heath Smith, është dënuar me 19 vite burg nga Gjykata Federale në Nju Jork, pasi u shpall fajtor për shfrytëzim seksual të të miturve.

Smith, 44 vjeç, u dënua për akuzat e “joshjes së një të mituri” dhe “përfshirjes në aktivitete seksuale të ndaluara”.

Përveç burgut, ai do të vuajë edhe 10 vite lirim me kusht dhe do të paguajë një gjobë prej 40 mijë dollarësh.

Krimet e Justin Heath Smith kundër fëmijëve janë të tmerrshme. Ai shënjestroi viktima që në moshën shtatë vjeç dhe qytetarët e Nju Jorkut meritojnë ta dinë se nuk do t’u afrohet më kurrë fëmijëve tanë

-deklaroi prokurori amerikan Jay Clayton, duke theksuar vendosmërinë e autoriteteve për të luftuar shfrytëzimin seksual të të miturve.

Hetimet zbuluan se Smith kishte mbajtur rreth 200 video me pornografi fëmijësh, ndërsa kishte planifikuar dhe kryer disa takime me të mitur, mes tyre të moshës 12, 14 dhe 15 vjeç.

Në disa raste ai komunikonte me individë që pretendonin se kujdeseshin për fëmijë, me qëllim abuzimi.

Ai u arrestua në prill 2024, pas një bastisjeje në apartamentin e tij në Manhattan. Në qershor 2025, Smith pranoi pjesërisht fajin për nxitje të një të mituri në aktivitete seksuale, por gjykata e shpalli fajtor edhe për akuza të tjera të rënda.

Vendimi u përshëndet nga autoritetet amerikane si një sinjal i qartë për autorët e abuzimeve të ngjashme:

Në New York nuk ka vend për ju, përveçse pas hekurave

-theksoi prokuroria.