Këngëtari i muzikës country, Orville Peck, ka ndarë një nga rrëfimet më personale të karrierës së tij, duke treguar se në vitin 2023 kaloi një krizë të rëndë emocionale, e cila e shtyu të anulonte turneun “Bronco”.
Në një intervistë për “Rolling Stone”, artisti 38-vjeçar zbuloi se në atë periudhë po përballej me varësi nga alkooli, probleme të shëndetit mendor dhe vështirësi të mëdha në jetën personale. Ai tregoi se, në kulmin e kësaj gjendjeje, tentoi t’i jepte fund jetës.
Sipas Peck, ai moment u kthye në pikën që e bëri të kuptonte se kishte nevojë urgjente për ndihmë profesionale. Pas ngjarjes, artisti nisi procesin e rehabilitimit dhe u fokusua te rikuperimi.
Këngëtari, emri i vërtetë i të cilit është Daniel Pitout, tha se ajo periudhë u shënua edhe nga përfundimi i një marrëdhënieje, duke e cilësuar si kapitullin më të vështirë të jetës së tij. Edhe pse fillimisht ishte skeptik ndaj trajtimit, ai pranoi se rehabilitimi rezultoi vendimtar për rimëkëmbjen e tij.
Përjetimet e asaj kohe janë pasqyruar në albumin e tij të ri, “Mule”, i cili pritet të publikohet më 18 shtator. Sipas artistit, projekti rrëfen në mënyrë kronologjike vitin kur humbi drejtimin dhe përpjekjen për ta rifituar atë.
Ndërkohë, kënga e parë e albumit, “Too Little, Too Late”, është publikuar tashmë në platformat muzikore, duke shënuar fillimin e një kapitulli të ri në karrierën e tij.