Trupi i 22-vjeçares shqiptare Ilaria Sula, e cila ishte zhdukur prej 25 marsit nga shtëpia e saj në Furio Camillo të Romës, u gjet i pajetë mëngjesin e kësaj të mërkure.
Sipas mediave italiane, e reja u gjet e masakruar me thikë brenda një valixheje në një zonë të pyllëzuar pranë komunës së Polit.
Policia italiane ka arrestuar ish-të dashurin filipinez të studentes shqiptare, pasi dyshohet se e ka qëlluar disa herë me thikë brenda apartamentit të tij në një lagje afrikane.
Më pas, valixhja me gjithë trupin e pajetë, dyshohet se u hodh në një shkëmb, ku më vonë u gjet në mëngjesin e kësaj të mërkure. Pas krimit të rëndë, filipinezi mori celularin e shqiptares dhe postonte në rrjetet e saj sociale.
E reja shqiptare studionte statistika në Universitetin Sapienza. Përveç familjes së saj, të cilët kishin bërë denoncim në polici, për ta gjetur atë ishin mobilizuar edhe miq, duke publikuar fotografi të së resë.
Hetimi mori një kthesë dramatike mbrëmë kur hetuesit e policisë mbërritën në banesën e filipinasit, ku policia mjeko-ligjore kreu një inspektim. I njëjti i ri, me të cilin viktima shkruante prej kohësh mesazhe në mbrëmjen e zhdukjes së saj, u identifikua nga policia dhe u dërgua në komisariat për t’u marrë në pyetje.
Në mbrëmjen e zhdukjes së saj, Ilaria me sa duket ishte larguar nga shtëpia me nxitim për të takuar dikë. Prindërit e saj, të cilët jetojnë në Terni, raportuan se ajo nuk kishte marrë asgjë me vete, por se celulari i saj punonte dhe se dikush i ishte përgjigjur mesazheve të saj.