Bota Lifestyle

Fundi i ‘dolce vita’? Roma vendos tarifë për “Fontana di Trevi” dhe turistët po shpërthejnë?

“Fontana di Trevi”, simboli ikonë i Romës dhe një nga monumentet më të famshme në botë, po hyn në një epokë të re. Autoritetet e kryeqytetit italian kanë vendosur të aplikojnë një tarifë hyrjeje prej 2 eurosh për vizitorët që duan t’i afrohen nga pranë shatërvanit legjendar.

I bërë i pavdekshëm nga filmi “La Dolce Vita” i regjisorit Federico Fellini dhe skena ikonike me Anita Ekberg, monumenti barok vazhdon të tërheqë miliona turistë çdo vit. Por pikërisht kjo famë ka sjellë edhe mbipopullim ekstrem, me turma të mëdha vizitorësh dhe shitës ambulantë që, sipas kritikëve, po ia zbehin magjinë vendit.

Sipas planit të ri të Bashkisë së Romës, hyrja pranë zonës së poshtme të shatërvanit do të kushtojë 2 euro, ndërsa pamja nga larg do të mbetet falas. Hyrja pa pagesë do të lejohet gjithashtu pas orës 22:00 çdo mbrëmje.

Kryebashkiaku Roberto Gualtieri deklaroi se masa synon të ulë mbipopullimin dhe të ndihmojë në mirëmbajtjen e monumentit historik. “Dy euro nuk janë shumë”, tha ai, duke mbrojtur vendimin që ka ndezur debat në rrjet.

Përjashtim nga pagesa do të kenë banorët e Romës, personat me aftësi të kufizuara dhe fëmijët nën 6 vjeç. Ndërkohë, turistët do të mund të rezervojnë biletat edhe online përmes platformës zyrtare turistike të qytetit.

Autoritetet presin që kjo tarifë të gjenerojë rreth 6.5 milionë euro në vit, para që do të përdoren për restaurimin dhe mirëmbajtjen e monumentit të shekullit XVIII.

Vetëm vitin e kaluar, “Fontana di Trevi” iu nënshtrua një restaurimi të madh prej 300 mijë eurosh, gjatë të cilit uji u zbraz plotësisht për të pastruar depozitat dhe dëmtimet e krijuara nga koha dhe fluksi i turistëve.

Ndërkohë, tradita e famshme e hedhjes së monedhave në ujë do të vazhdojë. Monedhat e mbledhura do të dhurohen sërish për bamirësi, duke ruajtur një nga ritualet më të famshme turistike në botë.