Krim i rëndë në një familje shqiptare në Itali. Në Foggia, një 45-vjeçar i identifikuar si Taulant Malaj vrau me thikë vajzën e tij 16-vjeçe dhe një 51-vjeçar italian, ndërsa u arrestua nga policia. E plagosur mbeti dhe Tefta Malaj 39-vjeçe, gruaja nga e cila 45-vjeçari me profesion bukëpjekës ishte ndarë, por jo divorcuar ligjërisht. Vajza e mitur humbi jetën në përpjekje për të mbrojtur nënën e saj.
Pista e mundshme e krimit tronditës në Itali është ajo e xhelozisë. Fillimisht, dyshohet se Taulant Malaj vrau 51-vjeçarin italian, partneri i 39-vjeçares, i identifikuar si shtetasi Massimo De Santi në shkallët e ndërtesës në Torremaggiore. Më pas hyri në banesë, që të vriste gruan, por ndërhyrja e vajzës Xhesika rezultoi fatale për të. Ndërkohë, 39-vjeçarja arriti të largohej e lajmëroi policinë. Çifti ka dhe një djalë 5-vjeç.
Ngjarja ndodhi në orët e para të mëngjesit, në rrugën Togliatti të Torremaggiores. E lënduara, Tefta Malaj është dërguar në spital në Foggia, për mjekimet e nevojshme. Po ashtu, mediat italiane bëjnë të ditur se 45-vjeçari u bllokua teksa endej në zonë në kërkim të djalit 5-vjeç. Po ashtu u gjet dhe arma e krimit, një thikë kuzhine.