Bota

Izrael, hidhen në erë tre autobusë pranë Tel Avivit!

Një seri shpërthimesh në tre autobusë të parkuar, tronditën pjesën qendrore të Izraelit, në atë që autoritetet izraelite dyshojnë të jetë një sulm militant. Nuk ka njoftime për të lënduar nga shpërthimet që ndodhën në afërsi të Tel Avivit.

Shpërthimet u shënuan në kohën kur izraelitët po mbajnë zi për katër trupat e pengjeve të kthyera nga Hamasi në Gazë si pjesë e një marrëveshjeje armëpushimi. Shpërthimet në autobusë të kujtojnë bombat gjatë kryengritjes palestineze të viteve 2000, por sulme të tilla janë të rralla tani.

Zëdhënësi i policisë, Asi Aharoni, tha për televizionin izraelit (Channel 13 TV) se u gjetën eksplozivë në dy autobusë të tjerë, por nuk shpërthyen. Autoritetet deklaruan se të pesë bombat me sahat ishin identike dhe se njësitë speciale po çaktivizonin bombat e pashpërthyera.

Kryebashkiaku i qytetit, Tzvika Brot, tha se ishte një mrekulli që askush nuk ishte lënduar.

Autobusët qëndronin të parkuar pasi kishte përfunduar orari i punës.

Ofir Karni, kreu i kompanisë së autobusëve tha se kishte urdhëruan menjëherë të gjithë drejtuesit e këtyre mjeteve që të ndalojnë dhe të kryejnë një “inspektim të plotë”. Zyra e kryeministrit Benjamin Netanyahu u shpreh se shefi i qeverisë po ndjek nga afër zhvillimet.

Agjencia e Sigurisë së Brendshme, Shin Bet ka marrë drejtimin e hetimeve.

Dje, Izraeli priti trupat e parë të pajetë të pengjeve që Hamasi ka dorëzuar që nga fillimi i luftës, si pjesë e marrëveshjes së armëpushimit. Netanyahu iu tha qytetarëve se janë “të detyruar të bëjnë marrëveshje me vrasësit”.

Vëllezër dhe motra, të dashur qytetarë të Izraelit, ne të gjithë jemi të bashkuar në dhimbje të padurueshme për humbjen e rëndë të katër pengjeve. Kjo na detyron të merremi me vrasësit famëkeq dhe do të merremi me ta.

Presidenti Isaac Herzog shkroi në një postim në X, se nuk ka fjalë, duke iu kërkuar të katërve falje, që siç tha, “nuk i sollën në shtëpi të sigurt”. Që nga fillimi i armëpushimit, muajin e kaluar, kjo ishte hera e parë që grupi Hamasi ktheu pengje që nuk jetojnë më. Izraeli tha se do të konfirmojë identitetin e tyre, pasi të kryejë ekzaminime mjeko-ligjore.