Bota

Izraeli kryen sulme ajrore ndaj rebelëve Huthi në Jemen!

Ushtria izraelite bombardoi kryeqytetin e Jemenit dhe një qytet port duke vrarë të paktën nëntë persona. Më herët, rebelët Huthi kishin sulmuar Izraelin me raketa. Sulmet rrezikojnë përshkallëzimin e konfliktit me rebelët e mbështetur nga Irani, goditjet e të cilëve në korridorin e Detit të Kuq kanë ndikuar ndjeshëm në transportin global.

Kanali satelitor al-Masirah, i kontrolluar nga rebelët Huthi, raportoi se disa nga sulmet kishin si objektiv stacionet e energjisë në kryeqytet, si dhe terminalin e naftës Ras Isa në Detin e Kuq. Duke cituar korrespondentin e tij në qytetin port Hodeida, raportoi se të paktën shtatë njerëz u vranë në portin e afërt të Salifit, ndërsa dy të tjerë, në terminalin e naftës Ras Isa. Gjithashtu u raportua për të plagosur në portin e Hodeidas.

Ushtria izraelite nuk dha hollësi për objektivat e goditura dhe as për dëmet e shkaktuara nga bombardimet e saj.

Objektivat e goditura nga forcat ushtarake izraelite përdoreshin nga forcat e Huthit për qëllime ushtarake. Sulmet dëmtojnë regjimin terrorist të Huthit, duke parandaluar që ai të shfrytëzojë objektivat për qëllime ushtarake e terroriste, përfshirë kontrabandën e armëve iraniane në rajon.

Daniel Hagari, zëdhënës i ushtrisë izraelite, tha se sulmet goditën infrastrukturën energjetike dhe të portit, që ai pretendoi se rebelët “po e përdorin në mënyra që kontribuojnë efektivisht në veprimet e tyre ushtarake”.

Izraeli nuk do të hezitojë të veprojë për të mbrojtur veten e qytetarët e tij nga sulmet e Huthit.

Edhe forcat amerikane kanë bombarduar objektivat e rebelëve Huthi për rreth një vit, për shkak të sulmeve që rebelët po kryejnë ndaj anijeve tregtare në korridorin e Detit të Kuq. Të hënën, Komanda Qendrore e Ushtrisë Amerikane njoftoi se goditi “një objekt kryesor komande dhe kontrolli” të përdorur nga rebelët Huthi në Sana.

Rebelët Huthi kanë sulmuar rreth 100 anije tregtare me raketa e dronë që nga fillimi i luftës mes Izraelit dhe Hamasit në Rripin e Gazës, në tetor 2023, e cila nisi pas sulmit të papritur të Hamasit në jug të Izraelit, ku u vranë 1.200 njerëz dhe u rrëmbyen 250 të tjerë. Prej atëherë, lufta hakmarrëse e Izraelit në Gaza ka lënë të vdekur mbi 45.000 palestinezë, sipas zyrtarëve shëndetësorë palestinezë.

Hamasi është shpallur “organizatë terroriste” nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian. Rebelët Huthi kanë kapur një anije dhe kanë fundosur dy të tjera në një fushatë që gjithashtu vrau katër marinarë. Rebelët pretendojnë se shënjestrojnë anije të lidhura me Izraelin, SHBA-të ose Mbretërinë e Bashkuar, për të bërë të mundur përfundimin e luftës izraelite kundër Hamasit në Gaza. Megjithatë, shumë nga anijet e sulmuara prej tyre kanë pak ose aspak lidhje me konfliktin, përfshirë disa që shkonin drejt Iranit.