Pjesëmarrja e Izraelit në Eurovizionin e këtij viti shkaktoi polemika të shumta për shkak të luftës në Gaza, duke çuar në protesta të shumta në Malmo të Suedisë. Tani, shteti hebre mund të përjashtohet nga gara. Bashkimi i Radio Televizioneve Evropiane (EBU) ka shprehur shqetësim të thellë pas propozimeve legjislative në Izrael që mund të çojnë në privatizimin ose zvogëlimin e financimeve për Korporatën e Radio Televizionit Publik të Izraelit (IPBC), e njohur si Kann.
Në një letër dërguar Komitetit të Çështjeve Ekonomike të Knessetit, EBU ka paralajmëruar se një hap i tillë mund të ketë pasoja të rënda për lirinë e mediave në Izrael, si dhe për reputacionin ndërkombëtar të vendit, duke përmendur përfshirjen e Kann në organizimin e Eurovizionit. EBU theksoi rëndësinë e transmetuesve publikë si baza e demokracisë, duke ofruar lajme të paanshme dhe mundësi për shprehje të larmishme kulturore. Propozimet për privatizimin e IPBC mund të ndikojnë në stabilitetin e medias publike dhe të dëmtojnë mundësinë për qytetarët të kenë akses në informacion të saktë dhe të besueshëm. Reagimi i EBU vjen pas shqetësimeve që mund të lidhen me përjashtimin e Izraelit nga konkurset ndërkombëtare si Eurovision, ku IPBC ka luajtur një rol kyç.
Ndërkaq, përfaqësuesit e transmetuesit zviceran SRG SSR gjatë një konference për shtyp zbuluan detaje rreth temës dhe fazës së edicionit të 69-të të Eurovizionit, pasi Nemo fitoi me këngën “The Code”, në Malmö, Suedi. Qyteti i Bazelit do të presë garën prestigjioze në Stadion St. Jakob Park, në datat 13, 15 dhe 17 maj. I frymëzuar nga tradita zvicerane e demokracisë së drejtpërdrejtë, e cila sillet rreth dëgjimit dhe dialogut, drejtori artistik Artur Deyneuve zgjodhi “dëgjimin” si temë qendrore të konkursit, duke e quajtur atë “Uniteti i jep formë dashurisë”.
Po ashtu janë zbuluar çmimet e biletave, slogani dhe logoja e Eurovisionit si dhe skena ku do të mbahet eventi. Platforma zvicerane e biletave TicketCorner është partneri zyrtar i biletave për Eurosong 2025. Rikujtojmë se Nina Zizic u zgjodh përfaqësuesja e re e Malit të Zi në Eurovision pas tërheqjes së grupit NeonoeN. Ky informacion është publikuar në profilet zyrtare të Montesong. Ajo do të përfaqësojë vendin e saj me këngën “Dobrodosli”. “Nina, paç fat! Qofshi të lumtur, përgatitjet fillojnë së shpejti”-kanë shkruar ata.