Bota

Izraeli nis sulme të reja në Teheran, në shënjestër infrastruktura e regjimit terrorist iranian

Ushtria izraelite thotë se ka nisur një valë të re sulmesh në kryeqytetin iranian, Teheran.

Forcat Mbrojtëse të Izraelit (IDF) thonë se sulmet kishin në shënjestër “infrastrukturën e regjimit terrorist iranian”.

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu thotë se lufta është “padyshim përtej pikës së gjysmës së rrugës”, por sqaroi se kjo kishte të bënte me misionet, jo me kohën.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Izraeli po vazhdojnë sulmet e tyre masive në Iran, ndërsa lufta hyn në javën e saj të pestë.

Po a po planifikon Presidenti i SHBA, Donald Trump një ofensivë tokësore në Iran ? Sipas Wall Street Journal, që citojnë zyrtarë amerikanë, Presidenti i SHBA, Donald Trump aktualisht po vlerëson se sa e rrezikshme do të ishte një operacion për nxjerrjen e uraniumit për trupat tokësore. Thuhet se Presidenti ende nuk ka marrë një vendim. Megjithatë, Trumpi është përgjithësisht i hapur ndaj kësaj ideje, pasi një operacion ushtarak i tillë mund t’i ndihmojë të arrijë qëllimin e tij kryesor – pra, të parandalojë që Irani të prodhojë ndonjëherë armë bërthamore.

Përpara se Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara të nisnin sulmet ajrore kundër Iranit qershorin e kaluar, gjatë të cilave u bombarduan tre objekte bërthamore, vendi zotëronte, sipas Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA), më shumë se 400 kilogramë uranium me një pastërti prej 60%. Për prodhimin e armëve bërthamore, kërkohet një pastërti mbi 90%. Sipas vlerësimit të Drejtorit të Përgjithshëm të IAEA-së, Grossi, uraniumi ndodhet kryesisht në tunele nëntokësore dhe vende depozitimi në objektet bërthamore të Isfahanit dhe Natanzit, të dyja të cilat u bombarduan nga Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli qershorin e kaluar.