Magazine

Jahtet, jo vetëm luks por edhe strategji tatimore për të pasurit? Pse blihen?

Jahtet shpesh shihen si simbol i luksit dhe argëtimit, por ekspertët e investimeve theksojnë se ato kanë edhe një dimension tjetër, shumë më pak të dukshëm: përfitimet tatimore dhe ligjore.

Sipas këshilltarit të investimeve që publikon me pseudonimin @gonsec në TikTok, për shumë milionerë një jaht nuk është thjesht një mjet pushimi, por një aset strategjik.

Ai thekson se praktika më e zakonshme është blerja e jahtit në një vend dhe regjistrimi i tij në një tjetër, ku regjimi tatimor është më i favorshëm – siç ndodh shpesh me Ishujt Kajman, një parajsë fiskale e njohur ndërkombëtarisht.

Në këto raste, jahti valëvit flamurin e vendit të regjistrimit dhe konsiderohet si “territor lëvizës” i atij shteti.

Kjo do të thotë se çdo kontratë e nënshkruar në bord ka fuqi ligjore sikur të ishte nënshkruar në tokën e Ishujve Kajman.

Një biznesmen, për shembull, mund të finalizojë marrëveshje jashtë Bashkimit Evropian apo Shteteve të Bashkuara duke përfituar automatikisht nga rregulloret tatimore të favorshme të këtyre territoreve.

Jahti funksionon si një copëz toke që gëzon përfitime fiskale

-shpjegon eksperti.

Nëse nënshkruan një kontratë aty, ajo i nënshtrohet ligjit të vendit të regjistrimit, dhe jo rregullave të BE apo SHBA

Në këtë mënyrë, jahtet nuk përfaqësojnë vetëm luks dhe status, por edhe një mjet të zgjuar financimi dhe mbrojtjeje ligjore.

Pas imazheve të megajahteve që zbukurojnë portet e Monakos apo Mykonos, fshihet një lojë e ndërlikuar pushteti dhe strategjie tatimore, ku luksi kombinohet me mençurinë financiare.