Ministria e Mbrojtjes dhe Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile, njoftuan sot sipas informacionit të përditësuar nga Instituti i Gjeoshkencave (IGJEO) dhe Shërbimi Meteorologjik Ushtarak (SHMU), gjatë javës priten reshje me intensitet të lartë në të gjitha qarqet e vendit, të shoqëruara me shtrëngata dhe në disa zona edhe me reshje dëbore.
Ditën e sotme, priten reshje mesatare deri lokalisht intensive në qarqet Shkodër, Lezhë dhe Vlorë. Në qarqet Kukës, Dibër, Durrës, Tiranë dhe Gjirokastër reshjet do të jenë të dobëta deri mesatare, të shoqëruara me shtrëngata. Në qarqet e tjera parashikohen reshje të dobëta, ndërsa intensiteti pritet të rritet gjatë orëve të pasdites.
Ditën e martë, reshjet do të shtohen në të gjithë territorin. Qarqet Shkodër, Kukës, Vlorë dhe Gjirokastër do të përfshihen nga reshje intensive deri lokalisht shumë intensive, ndërsa në Lezhë priten reshje intensive.
Në qarqet Dibër, Durrës dhe Tiranë reshjet do të jenë mesatare deri lokalisht intensive, ndërsa në qarqet e tjerë reshjet do të jenë të dobëta deri mesatare. Të gjitha reshjet do të shoqërohen me shtrëngata në të gjithë vendin.
Ditën e mërkurë, parashikohen reshje me intensitet të lartë në të gjithë vendin. Në qarqet Shkodër, Kukës, Vlorë dhe Gjirokastër reshjet do të jenë intensive deri lokalisht shumë intensive, ndërsa në qarqet e tjerë reshje mesatare deri intensive, të shoqëruara me shtrëngata.
Ditën e enjte pritet ulje e intensitetit të reshjeve. Në qarqet Shkodër, Vlorë dhe Gjirokastër reshjet do të jenë të dobëta deri mesatare, ndërsa në qarqet e tjerë të dobëta.
Në zonat mbi 400 metra lartësi në Veri, Lindje dhe Juglindje reshjet do të jenë në formë dëbore, duke krijuar mundësi për ngrica dhe vështirësi në qarkullimin rrugor.
Në basenin e lumit Drin reshjet e pritshme arrijnë deri në 150–200 mm në Fierzë dhe deri në 300 mm në zonën Koman-Vau i Dejës.
Ministria e Mbrojtjes, përmes Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, kërkon nga të gjitha strukturat vendore dhe qendrore të marrin masa parandaluese për shmangien e përmbytjeve, të jenë në gatishmëri të plotë për reagim të menjëhershëm dhe të sigurojnë koordinim të ngushtë ndërinstitucional për menaxhimin e situatave emergjente.
Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile ka kërkuar rritjen e gatishmërisë së bashkive në nivelin maksimal, në përputhje me parashikimet e motit dhe rrezikun e shtuar të përmbytjeve dhe rrëshqitjeve të dherave.
MM bën të ditur se strukturat e emergjencave civile do të përditësojnë publikun vazhdimisht mbi situatën në terren dhe çdo zhvillim të ri që lidhet me motin dhe nivelin e riskut. Qytetarët e zonave të prekura ftohen të tregojnë kujdes të shtuar gjatë kësaj periudhe me reshje intensive.