Gjatë dy viteve të fundit, diçka ka ndodhur në komandën e ushtrisë së Rusisë dhe nuk ka qenë e bukur. Që nga maji i vitit 2024, ka pasur një seri hetimesh penale, shkarkimesh nga detyra, rrjedhje komprometuese të informacioneve në media e zbulime turpëruese që kanë në epiqendër Ministrinë e Mbrojtjes të Rusisë.
Hetuesit, kryesisht nga Shërbimi Federal i Sigurisë apo FSB, së bashku me prokurorët dhe autoritetet e Ministrisë së Brendshme kanë shënjestruar një numër në rritje të zv.ministrave të Mbrojtjes, oficerëve e zyrtarëve të lartë civilë, për korrupsion, mashtrim e përvetësim fondesh.
Më 10 prill, një gjykatë ushtarake në Moskë e dënoi zv.ministrin e Mbrojtjes, Pavel Popov, me 19 vjet burg, për përvetësim fondesh dhe ryshfet.
Si Popovi, shumica nga të shënjestruarit janë bashkëpunëtorë të vjetër të Sergei Shoigut, të cilin presidenti rus, Vladimir Putin, e largoi nga posti i ministrit të Mbrojtjes në maj 2024, në mes të një riformatizimi më të gjerë të qeverisë. Shoigu, i cili e njeh Putinin prej dekadash, më pas u emërua shef i Këshillit të Sigurisë së Rusisë dhe në ministri u zëvendësua nga Andrei Belousov, një teknokrat e ekonomist.
Shumë nga zëvendësministrat e Mbrojtjes që u vunë në shënjestër u shkarkuan menjëherë pas largimit të Shoigut. Disa janë të lidhur me një kontraktor të madh të Ministrisë së Mbrojtjes, që mbikëqyri ndërtimin e një parku me tematikë ushtarake në Moskë, të quajtur “Parku Patriot”.
Kjo kompani, e quajtur Bamstroyput, ishte nënkontraktor i madh i Ministrisë për Situata Emergjente. Shoigu e pati udhëhequr për 21 vjet, para se Putin ta vendoste në krye të Ministrisë së Mbrojtjes, më 2012-shin.
Ka shumë spekulime se çfarë dhe kush qëndron pas këtyre hetimeve e këtij pastrimi të gjerë. Një shpjegim lidhet me zhvillimin e luftës në shkallë të gjerë në Ukrainë, që shpejt nxori në pah ato që ekspertët thonë se ishin probleme në strukturën komanduese, doktrinën e vjetruar dhe korrupsionin e përhapur, si në shkallë të vogël ashtu edhe në të madhe, në ushtrinë e Rusisë e entitetet civile.
Pjesa më e madhe e kritikave për dështimet e ushtrisë ruse në Ukrainë u përqendrua te Shoigu, si dhe te komandanti më i lartë ushtarak i Rusisë, shefi i Shtabit të Përgjithshëm, gjenerali Valery Gerasimov.
Përshtypja ime është se spastrimet kanë buruar nga rivalitetet brenda elitës dhe mes shërbimeve, tha John Hardie, zëvendësdrejtor i Programit për Rusinë në Fondacionin për Mbrojtjen e Demokracive, një institut me seli në Uashington.
Shoigu e kishte kritikuar industrinë e mbrojtjes… për furnizimet e pamjaftueshme për ushtrinë. Dhe megjithëse mban një pjesë të madhe të përgjegjësisë për dështimin e fazës fillestare të pushtimit, FSB-ja duket se ka arritur ta zhvendosë fajin te Ministria e Mbrojtjes.
Ndër kritikët më të zëshëm të Shoigut ishte Yevgeny Prigozhin, një biznesmen nga Shën Pjetërburgu, i cili ndërtoi një forcë të fuqishme mercenarësh privatë të quajtur Grupi Wagner, që u bë një nga njësitet më efektive ruse në luftimet në Ukrainë.
Dy muaj pasi Prigozhin organizoi një kryengritje të dështuar në qershor 2023, vdiq në aksident ajror, ngjarje që gjerësisht besohet se ishte një atentat.
Rivalët, apo armiqtë e Shoigut, mund të kenë zgjedhur të theksojnë korrupsionin brenda ministrisë nën drejtimin e tij si diçka që dilte jashtë normave, tha Hardie.
Këto argumente mund të kenë rezonuar me Kremlinin, i cili duket se është i ndjeshëm ndaj faktit se shpenzimet ushtarake po konsumojnë shumë burime. Prandaj u vendos që të bëhej një spektakël publik i arrestimeve për korrupsion dhe për të emëruar Belousovin, teknokrat dhe ekonmist, me detyrën që të sigurojë shpenzime efikase në mbrojtje.