Moti i keq në vend, Ministria e Mbrojtjes përditësoi të dhënat për 24 orët e fundit dhe raporton se përgjithësisht, situata po shkon drejt stabilizimit. Por, në disa qarqe vijojnë problematikat nga prurjet e larta të lumenjve, rrëshqitjet e dherave dhe dëmtimet në infrastrukturë.
Janë në rënie nivelet e shumicës së lumenjve ndërsa në zonat më të prekura, hidrovorët po punojnë me kapacitet të plotë. Forcat e emergjencave, ato të Armatosura, strukturat vendore dhe ekipet e ndërhyrjes së shpejtë mbeten në terren për normalizimin e gjendjes e mbajtjen nën kontroll të zonave me risk.
SITUATA SIPAS QARQEVE:
QARKU VLORË
Hidrovorët e Bashkisë Vlorë janë në punë me kapacitet të plotë. Në Novoselë, niveli i Vjosës vazhdon me trend uljeje. Dje shkuan në ndihmë forcat e Njësisë së Komandës Mbështetëse.
Bashkia Sarandë
Situata është në monitorim në fshatin Çukë, në argjinaturën e lumit Bistricë. Në këtë zonë, dje operuan edhe 10 efektivë të FA, me mjete, në ndihmë të banorëve.
Forcat operacionale punuan për normalizimin e situatës në rrugët që lidhin disa fshatra në bashkitë Finiq, Konispol e Delvinë, ku pati prezencë dherash.
QARKU FIER
Ekipet e emergjencave janë në ndihmë të banorëve në fshatrat Çerven e Ferras, me 25 banesa me prani uji, brenda argjinaturës së lumit Vjosë. Sot lumi Seman u tërhoq në kuota të sigurta, me rënie prej 70 cm.
QARKU KORÇË
Në njësitë administrative të prekura: Bulgarec, Vithkuq, Drenovë, Mollaj, situata u qetësua. Uji u tërhoq dhe po vijon puna për normalizimin e plotë.
Ka punime për mbylljen e çarjeve në argjinaturat e lumenjve Devoll e Dunavec. Në ndihmë shkuan 20 forca të ushtrisë. Lumi Devoll uli nivelin me disa centimetra. Fshati Sheqeras nuk rrezikohet për përmbytje të banesave, por ka prani uji në sipërfaqet bujqësore. Vëmendja është te infrastruktura e fshatrave Moçan, Desmire, Osoje e Gjinikas. Po ashtu, po punohet në fshatrat Senisht e Dolanm, ku pati rrëshqitje dherash.
Në Pustec, gjendja paraqitet e qetë ndërsa forcat zjarrfikëse po ndërhyjnë për largimin e ujit nga bodrumet e 4 banesave.
Po ndërhyhet edhe në Bashkinë Pogradec, ku u evidentuan rreth 50 raste dëmesh në banesa e në 4 ura. U konstatuan problematika në Unazën e qytetit e në Hudenisht, ku punohet për neutralizimin e situatës. Gjithashtu, puna vijon nga ekipet në Kolonjë, në fshatin Qinam e në Mesickë dhe Taç Poshte.
QARKU LEZHË
Në Bashkinë Lezhë vazhdon të jetë nën ujë një sipërfaqe rreth 220 ha. Hidrovorët punojnë me kapacitet të plotë. Te argjinatura në Lagunën Vain, vijon puna për riparimin e digës së dëmtuar.
Nivelet e lumenjve Drin dhe Mat pësuan rritje, por brenda kuotave normale. Në Bashkinë Kurbin ka punime në shtratin e lumit Drojë, edhe me mbështeje nga FA.
Në Mamurras ka një sipërfaqe rreth 300 ha nën ujë.
Në Bashkinë Mirditë, problematik mbetet aksi Rrëshen – Bukmirë, ku ulja e bazamentit të rrugës vazhdon të sjellë problematika në qarkullim ndonëse është ndërhyrë për rehabilitimin. Po punohet në segmente rrugore e pranë disa banesave ku pati rrëshqitje dherash.
QARKU DIBËR
Po vazhdon puna për stabilizimin e situatës në aksin rrugor qytet i Vjetër-qytet i Ri, te terminali.
QARKU BERAT
Në Bashkinë Berat, nivelet e lumit Osum shënuan rënie të theksuar. Lumi është brenda shtratit të tij e ujërat në tokat bujqësore në fshatrat e njësisë administrative Velabisht u tërhoqën, në pjesën më të madhe. Ndërkohë, në Bashkinë Dimal situata po vjen drejt përmirësimit.
QARKU GJIROKASTËR
Po punohet nga ekipet në terren. Nga reshjet e shiut, pësoi ulje ura që lidh aksin rrugor kombëtar me fshatrat Glinë, Peshkëpi e Poshtme, Peshkëpi e Sipërme, Radat të Bashkisë Dropull dhe Nepravishtën në Libohovë. U bë stabilizimi i situatës në fshatin Dhëmblan, ku dje pati shkarje të urës.
Në Bashkinë Libohovë, te vendi i quajtur “Shkëmbi Dallëndyshes” po punohet për riparimin e shkarjes së trupit të rrugës. Punohet edhe në aksin Suhë-Poliçan.
QARKU TIRANË
Është punuar në fshatin Shargë, në Vorë për largimin e ujit nga një banesë.
QARKU KUKËS
Forcat operacionale po punojnë për normalizimin e situates në Bashkinë Kukës, ku u evidentuan dy raste të rrëshqitjes së tokës në fshatrat Gjegjan e Morinë.
Në qarqet Durrës, Shkodër dhe Elbasan, nuk paraqiten problematika për shkak të kushteve të motit.
Ministria e Mbrojtjes dhe Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile janë në monitorim e kontakt të vazhdueshëm me strukturat e mbrojtjes civile dhe ekipet e emergjencavem, për t’u ardhur në ndihmë komuniteteve në zonat e prekura.