Partia Demokratike hapi këtë të premte fushatën e kandidatit për bashkinë e Rrogozhinës, Ferdinand Saraçi. Në fjalën e tij përpara simpatizantëve, kryedemokrati Lulzim Basha u shpreh se PD edhe pse ndodhet në një moment kritik, përfaqëson shumicën dërrmuese të shqiptarëve.
“Misioni jonë është i qartë, jemi në një periudhë të reflektimit të dhimbshëm, gjërat duhet t’i themi ashtu siç janë. Por ja ku jemi sot të mbledhur në një sallë për t’i treguar Rrogozhinës dhe Shqipërisë se asgjë nuk na ndal. Dhe atëherë kur kujtojnë se të gjithë bashkë mund të na ulin kokën, vetëm më të fortë jemi, vetëm më të vendosur jemi, se ne e dimë që përfaqësojmë shumicën dërrmuese, të heshtur, kokulur, të vjedhur të shqiptarëve. Jemi të gatshëm t’i dalim atyre zot”, tha Basha.
Gjatë fjalës së tij Basha theksoi se me SHBA dhe BE në krah janë shënuar fitoret më të mëdha për shqiptarët, duke shtuar se me ta në krah do të ecin drejt një horizonti të ri.