Shkencëtarët kanë realizuar një eksperiment që po konsiderohet si një nga zhvillimet më të pazakonta në biologji dhe bioteknologji, pasi kanë arritur të çelin 26 pula të gjalla nga vezë artificiale të krijuara me teknologji 3D. Eksperimenti u zhvillua nga kompania amerikane Colossal Biosciences, e cila krijoi vezë transparente artificiale të projektuara për të inkubuar embrione zogjsh jashtë guaskës natyrale.
Sipas studiuesve, struktura artificiale përmban një membranë speciale silikoni që lejon shkëmbimin natyral të gazrave si oksigjeni, ndërsa për të kompensuar kalciumin e guaskës reale u përdorën përbërës të veçantë me bazë kalciumi. Shkencëtarët deklarojnë se teknologjia synon fillimisht ruajtjen e specieve të rrezikuara të shpendëve dhe projekte të rikthimit të specieve të zhdukura.
Kompania Colossal Biosciences është bërë e njohur edhe për projektet e saj të ashtuquajtura “de-extinction”, që synojnë rikthimin e kafshëve të zhdukura si mamuthi i leshtë apo specie të tjera të humbura prej shekujsh. Andrew Pask, drejtori biologjik i kompanisë, e cilësoi momentin si tronditës.
“Të shihje zogjtë duke lëvizur brenda vezëve artificiale ishte diçka e pabesueshme. Të krijohet ndjesia se jeta mund të rritet jashtë mitrës”, deklaroi ai. Megjithatë, eksperimenti ka ndezur debat në komunitetin shkencor. Disa studiues kanë kritikuar kompaninë duke argumentuar se teknika të ngjashme inkubimi ekzistojnë prej dekadash dhe se risia po ekzagjerohet për efekt mediatik. Pavarësisht polemikave, zhvillimi po shihet si një hap i rëndësishëm drejt teknologjive të ardhshme të inkubimit artificial dhe studimeve mbi krijimin e “mitrave artificiale”.