Aktualitet

Kalimi apo jo për gjykim i dosjes Veliaj/Seanca në pikëpyetje nga bojkoti i avokatëve!

Në orën 09:00, në GJKKO pritet seanca paraprake për kalimin ose jo për gjykim të dosjes së Erion Veliajt. Mbetet të shihet nëse do të zhvillohet pasi avokatët njoftuan 5 ditë bojkot deri të premten, nisur nga arrestimi (dhe më pas lirimi) i avokatit Ulian Bajrami, për kërcënim të prokurorit Gjergji Ceka gjatë një seance në Gjykatën e Elbasanit. Nuk dihet nëse me lirimin e Bajramit, avokatët mund t’i rikthehen punës apo të vijojnë bojkotin.

Edhe seanca e kaluar u shty për shkak të bojkotit të avokatëve pas ngjarjes së rëndë të ndodhur më 6 tetor në Gjykatën e Apelit, ku u vra gjyqtari Astrit Kalaja. Për dosjen Veliaj, përveç kryebashkiakut të shkarkuar të Tiranës e bashkëshortes Ajola Xoxa, të pandehur janë edhe 28 persona e shoqëri.

Sipas dosjes hetimore të SPAK-ut, Veliaj akuzohet si i përfshirë në 9 raste korrupsioni, pastrim parash e mosdeklarim pasurie, shpërdorim detyre, si dhe futje të sendeve të ndaluara në qeli. Edhe Xoxa përballet me akuza për korrupsion pasiv në 9 raste, në lidhje me subjekte tregtare e organizata jofitimprurëse. Akuzohet për pastrim parash, mosdeklarim pasurie dhe fshehje të të ardhurave.

Një betejë ligjore, Veliaj e ka me qeverinë, pasi më 25 shtator u shkarkua nga posti i kryetarit të Bashkisë Tiranë, me vendim të Këshillit të Ministrave dhe me argumentin se nuk ishte paraqitur në detyrë për më shumë se tre muaj, që nga arrestimi më 10 shkurt.

Pak ditë më pas, Veliaj depozitoi ankimim në Kushtetuese, kërkesë që pezullon shkarkimin e tij dhe bllokon zgjedhjet e parakohshme në Tiranë deri kur të shprehet gjykata më e lartë në vend.

Një ditë më parë, Apeli i Posaçëm i rrëzoi kërkesën për të shpallur si të pavlefshme hetimet paraprake të kryera nga SPAK-u.