Aktualitet

SPAK-u kërkoi pushimin e çështjes për Jonaid Myzyrin/ GJKKO-ja kthen dosjen!

Gjykata e Posaçme, GJKKO i la 45 e ditë kohë SPAK-ut, që të kryejë veprime shtesë hetimore për çështjen e ish-kreut të Komisionit të Prokurimit Publik, KPP, Jonaid Myzyrin, përfshirë një akt-ekspertim. Prokuroria e Posaçme kërkon pushimin e hetimeve për Myzyrin dhe katër anëtaret e KPP-së lidhur me shkeljet në një tender në vlerë 2.2 milion euro.

Myzyri u mor i pandehur për shkelje barazie në tendera dhe pas rreth një viti, prokurori Elvin Gokaj kërkoi pushimin e çështjes, me argumentin se gjatë hetimeve e disa verifikimeve, nuk rezulton që të ketë kryer veprën penale.

Pushimi i hetimeve nga ana e SPAK-ut u kërkua edhe për anëtaret e KPP-së: Vilma Zhupaj, Lindita Skeja, Merita Zeqaj dhe Enkeleda Bega.

SPAK e mori të pandehur Myzyrin në qershor të vitit të kaluar, duke e akuzuar për një tender me vlerë rreth 2.2 milion euro në vitin 2020 për mirëmbajtjen e segmenteve rrugorë Rrëshen (Ura e Fanit)-Shpal, Shpal-Qafë Bene-Hadroj dhe Shpal-Ura e Repsit.

Tenderi u zhvillua nga ARRSH-ja më 18 shtator 2020, proces në të cilin janë konstatuar shkelje ligjore, që KPP me kryetar Myzyrin u akuzuan se i shpërfillën.

Sipas SPAK-ut, në kundërshtim me ligjin, ky komision favorizoi bashkimin e kompanive “AEK MUNELLA” dhe “DRINI-1”, që fituan tenderin 2.2 milion euro me dokumente false.