Rajoni

Kamionët me mallra serbe as sot nuk lejohen të hyjnë në Kosovë!

Asnjë kamion me mallra me origjinë nga Serbia nuk ka hyrë në territorin e Kosovës që nga koha kur Prishtina zyrtare mori vendim për ndalimin e hyrjes së kamionëve me produkte dhe targa serbe në Kosovë. Një zëdhënës i Doganave deklaroi:

Nuk kemi pasur asnjë hyrje dhe është duke u zbatuar masa e sigurisë për ndalimin e hyrjes.

Dy ditë më parë, qeveria e Kosovës vendosi për të shtrënguar kontrollet kufitare me Serbinë. Ky vendim u mor pas arrestimit të tre pjesëtarëve të Policisë Kufitare të Kosovës nga forcat serbe.

Qeveria Kurti e konsideron rrëmbim nga autoritetet e Serbisë në territorin e Kosovës. Prishtina zyrtare thotë se zyrtarët policorë gjendeshin në Tresave/Bare që përfshihet në komunën e Leposaviçit, brenda territorit të Kosovës.

Duke filluar që nga një ditë më parë, dhjetëra kamionë me targa të Serbisë e të Kosovës u panë të parkuar në anën serbe të kufirit në Merdare, pasi nuk u lanë të hynin në Kosovë.

Dje në një konferencë për mediat pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë Kombëtare, kryeministri Albin Kurti tha se institucionet e sigurisë kanë shtrënguar kontrollet kufitare me Serbinë, në përgjigje të situatës së krijuar me rastin e tre pjesëtarëve të Policisë së Kosovës.

Por, kryeministri Kurti mohoi të ketë ndalim të hyrjes së mallrave nga Serbia duke theksuar se masat “nuk janë ekonomike apo tregtare, por janë masa të sigurisë”. Serbia është një ndër pesë shtetet që eksporton më së shumti në Kosovë.

Para vendimit të ekzekutivit, brenda një dite ky shtet eksportoi mallra në vlerë një milion euro.

Vetëm gjatë vitit të kaluar, në tregun vendor kanë hyrë mallra në vlerë 372 milion euro dhe Kosova ka shitur në Serbi produkte në vlerë prej rreth 62 milion eurosh.

Avokati i njohur serb, Çedomir Stojkoviç bën të ditur se tre policët e rrëmbyer nga Serbia ndodhen në Kralevë e ku momentalisht po zhvillohet seanca e tyre para Prokurorit të Lartë Publik. Në një postim në Tuitter, avokati Stojkoviç thekson se deri në orën 12:30 duhet të vendoset ndaj tyre pasi përfundon afati prej 48-orësh i ndalimit nga policia.