Bedri Hamza që kandidoi për kryeministër nga Partia Demokratike e Kosovës të hënën deklaroi se nuk do ketë koalicion me Lëvizjen Vetëvendosje.
“Ne nuk do të përfshihemi në asnjë koalicion me Lëvizjen Vetëvendosje. Ata duan pushtet absolut. Nxitën urrejtje, kurse ne bashkim dhe bashkëpunim“, tha Bedri Hamza para mediave.
LEXO EDHE: Bashkimi Europian përshëndet zgjedhjet në Kosovë: Procesi, i qetë dhe i rregullt!
Ai shtoi se janë të gatshëm për koalicion me partitë opozitare, por se duhet të priten rezultatet përfundimtare.
“Ne do të punojnë të iu japim qytetarëve atë qeveri që e kërkojnë dhe për çka votuan. Partisë së parë i takon të provojë të krijojë institucionet, nëse nuk mundet ne opozita jemi të gatshëm të ofrojmë një qeveri që qytetarët e duan”, shtoi më tej.
LEXO EDHE: Misioni i KiE: Kosova mbajti zgjedhje paqësore, por përfaqësimi i grave mbetet i ulët
Kur janë numëruar 90% të votave, Lëvizja Vetëvendosje kryeson me 41%, e ndjekur nga Partia Demokratike me 22.37%, Lidhja Demokratike me 17.57 dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, me 7.56. Kryeministri Albin Kurti tha se janë fituesit që do të formojnë kabinetin e ardhshëm, por nuk dha detaje se me kë mund ta provojë këtë. Sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, 40.6% e votuesve morën pjesë në zgjedhjet e djeshme, afro 7% më pak se në të vitit 2021.
20 nga 120 vendet në parlamentin e Kosovës u takojnë pakicave kombëtare. Dhjetë prej tyre janë të rezervuara për partitë e komunitetit serb. Lista Serbe që përkrahet nga Beogradi, mori 3.98% të votave dhe sipas kryetarit të saj Zlatan Elek, “është fituese absolute e këtyre zgjedhjeve”.
Ndërsa vazhdon numërimi i votave, rezultati i zgjedhjeve lë hapur shumë mundësi. Nëse Vetëvendosje nuk siguron koalicion me ndonjë nga partitë opozitare, vështirë të formojë qeverinë me deputetë të pakicave. Kurti e ka përjashtuar këtë opsion. Mundësia tjetër është që opozita të provojë të formojë qeverinë e re, pasi të kenë shteruar përpjekjet e Vetëvendosjes.