Partia Demokratike e Kosovës (PDK) sot zgjedh kryetarin e ri, gjatë një Konvente që do të mbahet pasdite. Drejtimin e partisë pritet ta marrë Bedri Hamza, ish-kandidati për kryeministër, i cili nuk duket të ketë ndonjë kundërshtar dhe ka siguruar mbështetjen publike të kryetarit në ikje, Memli Krasniqi.
Hamza, 62 vjeç, ka shërbyer dy herë si ministër i Financave i Kosovës dhe në katër vjetët e fundit drejtoi komunën e Mitrovicës së Jugut. Ai është zyrtari i vetëm i partisë që shpalli kandidaturën për ta udhëhequr forcën e dytë politike, më të madhe në vend.
Por, jo të gjithë në parti ranë dakord me thirrjen e Konventës, 5 ditë pasi Krasniqi njoftoi dorëheqjen të mërkurën e kaluar.
Enver Hoxhaj, i cili dikur udhëhoqi partinë si ushtrues detyre i kryetarit, e kundërshtoi mbajtjen e Konventës kaq shpejt dhe shprehu ambiciet për të garuar, por ai nuk duket ta ketë mbështetjen e nevojshme për të qenë pjesë e garës në radhë të parë.
Ndërkaq, bëri thirrje që Konventa të shtyhet për më 23 nëntor, duke thënë se nevojitet më shumë kohë për një garë më cilësore dhe se një Parti Demokratike duhet të ketë në garë më shumë se thjesht një kandidat të vetëm.
PDK-ja ka nevojë për drejtim të ri, jo për skema të vjetra, ka nevojë për vizion të ri, jo për ndërrim rolesh. Ky është momenti për t’i hapur rrugën ndryshimit të vërtetë, shkroi Hoxhaj në Facebook.
Më herët, PDK-ja nuk iu përgjigj pyetjeve të Radios Evropa e Lirë (REL) nëse Hamza do të ketë kundërshtarë dhe deri tani, disa orë para mbajtjes së Konventës, Hamza mbetet zyrtarisht kandidati i vetëm.
Sipas statutit të PDK-së, për të garuar, një kandidat duhet t’i ketë nënshkrimet e 50 delegatëve të partisë dhe kandidaturën duhet ta paraqesë deri në pesë ditë para mbajtjes së Konventës.
PDK-ja synon të sjellë në krye dikë që mund ta sfidojë kryeministrin në detyrë Albin Kurti, partia e të cilit, Lëvizja Vetëvendosje (LVV), ka qenë në pushtet nga viti 2021.
Artan Muhaxhiri, sociolog dhe analist politik, tha për Radion Evropa e Lirë se ndonëse dorëheqja e Krasniqit qe e befasishme, “ishte akt i duhur”.
Zgjedhjet për kryetar mund të shndërrohen në një përshpejtues të ndryshimeve në PDK, nëse edhe kushtet e tjera të domosdoshme plotësohen.
Kosova mund të shkojë në zgjedhje parlamentare jo më larg se në dhjetor, duke qenë se asnjëra parti nuk e ka shumicën e nevojshme e as vullnetin për bashkëqeverisje, pas zgjedhjeve të shkurtit.
Hamza u zotua për reforma, për ta rikthyer PDK-në “si partinë kryesore në vend”, kur e shpalli kandidaturën javën e kaluar. Nëse Hamza zgjidhet kryetar i PDK-së, gjë që duket e pashmangshme, atëherë ai ka vetëm një detyrë, sipas Muhaxhirit.
Të kërkojë me zell brenda strukturave të PDK-së në gjithë Kosovën njerëz të rinj, personalitete të reja, profesionistë të rinj dhe t’i sjellë në fokus si përfaqësues të një gjenerate të re të PDK-së, sepse vetëm në këtë mënyrë mund të krijohet një lloj shprese se PDK-ja mund të reformohet e ta rrisë pushtetin e saj, tha Muhaxhiri.