Një intervistë e shkurtër me Kanye West në Japoni po bën xhiron e rrjeteve sociale, pasi reperi arriti të kthejë një pyetje të lehtë për modën në një deklaratë të rëndë emocionale.
Videoja, e publikuar në TikTok nga llogaria “Mystery Fashionist”, e ndjekur nga gati 300 mijë persona, pritej të ishte një moment argëtues, por ka shkaktuar shqetësim te fansat.
Në klip, Kanye prezantohet si “Ye nga Chi” dhe flet me vetëbesim për stilin e tij, duke thënë se veshjet e tij janë gjithmonë “10/10”. Ai shpjegon se po mbante Yeezy 950 origjinale, ndërsa pjesën tjetër të veshjeve i kishte blerë atë ditë në një dyqan të vogël lokal në Japoni.
Kur intervistuesi e pyet me humor se cili trend mode do të donte të mos e kishte provuar kurrë, Kanye ndalet, shikon drejt kamerës me një vështrim të boshatisur dhe përgjigjet vetëm me një fjalë:
Jeta.
Kjo frazë e papritur ka ndezur debat në rrjet. Shumë fansa e kanë interpretuar si shenjë të lodhjes së tij emocionale dhe reflektim të periudhave të vështira që ka kaluar vitet e fundit, nga beteja publike për kujdestarinë e fëmijëve me Kim Kardashian, te kufizimet në performanca dhe paditë e shumta që e kanë shoqëruar.
Komentues të tjerë vënë në dukje se një pjesë e presionit me të cilin përballet ai lidhet edhe me deklaratat dhe veprimet e tij kontroverse, që shpesh kanë nxitur reagime të forta publike.
Intervista, që nisi si një moment i thjeshtë street-style, është shndërruar kështu në një dritare të re për të kuptuar gjendjen e brendshme të një prej artistëve më të diskutuar të dekadës së fundit.