Gossip

Kanye West rrezikon arrestimin në Brazil nëse përmend nazistët gjatë koncertit?

Reperi kontrovers Kanye West është vënë nën vëzhgim të rreptë nga autoritetet braziliane, teksa përgatitet të performojë më 29 nëntor në pistën e hipodromit Interlagos, në Sao Paulo.

Pavarësisht se ai ka shprehur së fundmi “pendesë të thellë” për deklaratat e tij antisemite, autoritetet lokale nuk janë të gatshme të marrin asnjë rrezik.

Kryebashkiaku i Sao Paulos, Ricardo Nunes, deklaroi se çdo person që promovon nazizmin apo regjime të tjera fashiste gjatë koncertit do të përballet me arrestim të menjëhershëm.

Askush që promovon nazizmin nuk do të luajë apo këndojë asnjë tekst kënge në pajisjet publike që i përkasin bashkisë. Do të bëjmë gjithçka të nevojshme që askush që promovon nazizmin të mos ketë aktivitete këtu në Sao Paulo

-u shpreh Nunes.

Sipas mediave lokale, jo vetëm Kanye West, por edhe organizatorët Guilherme Cavalcante dhe Jean Fabrício Ramos mund të përballen me pasoja ligjore nëse artisti thyen këto rregulla gjatë performancës.

Ndërkohë, këshilltarja Cris Monteiro ka paraqitur një ankesë në Zyrën e Prokurorit të Përgjithshëm të Shtetit të Sao Paulos në lidhje me këngën “Heil Hitler”, çka ka çuar prokuroren Ana Beatriz Pereira de Souza Frontini të urdhërojë ndalimin e çdo shenje, simboli apo malli me përmbajtje naziste, përfshirë svastikat, në koncertin e reperit.

Koncerti i West në Sao Paulo pritet të zhvillohet nën masa të forta sigurie dhe monitorimi, mes polemikave dhe frikës së përsëritjes së qëndrimeve të tij ekstremiste në skenë.