Celebrities Gossip Showbiz

Kapen sërish bashkë! Kendall Jenner dhe Jacob Elordi më të dashur se kurrë!

Kendall Jenner dhe Jacob Elordi kanë rikthyer vëmendjen e mediave rozë pasi u panë së bashku në koncertin e këngëtarit të muzikës country, Chris Stapleton, të mbajtur në Uashington.

Modelja dhe aktori i njohur u filmuan në zonën VIP pranë skenës, ku shijuan koncertin në shoqërinë e njëri-tjetrit, duke biseduar dhe ndjekur performancën gjatë gjithë mbrëmjes.

Për këtë dalje, Kendall kishte zgjedhur një paraqitje të thjeshtë me këmishë të bardhë dhe pantallona të errëta, ndërsa Jacob Elordi qëndroi pranë saj gjatë gjithë eventit.

Pamjet e dyshes u përhapën me shpejtësi në TikTok, ku një video e publikuar nga një fans u bë virale. Në të dëgjohet reagimi i surprizuar i personit që i dallon mes të pranishmëve.

Pas koncertit, Kendall ndau në InstaStory një video nga performanca e Chris Stapleton, por pa bërë asnjë referencë për praninë e Jacob Elordit.

Deri më tani, as modelja dhe as aktori nuk kanë komentuar publikisht raportimet për lidhjen e tyre, ndërsa përfaqësuesit e tyre kanë zgjedhur të mos reagojnë.

Zërat për romancën mes tyre nisën në fillim të këtij viti dhe u forcuan edhe më shumë në muajin prill, kur të dy u panë duke shkëmbyer puthje gjatë festivalit Coachella.

Sipas burimeve pranë çiftit, marrëdhënia ka nisur prej disa muajsh dhe po zhvillohet në mënyrë pozitive, edhe pse ata preferojnë ta mbajnë larg vëmendjes publike.

Pak javë më parë, Kendall dhe Jacob u komentuan gjerësisht edhe për paraqitjen e tyre në aeroportin e Brisbane, ku tentuan të kalonin pa u dalluar me veshje që shumë përdorues të rrjeteve sociale i cilësuan si një “maskim qesharak”.

Edhe pse vazhdojnë të jenë në qendër të vëmendjes, Kendall Jenner dhe Jacob Elordi duket se po zgjedhin ta jetojnë historinë e tyre të dashurisë larg deklaratave publike.