Aktualitet

KAS rrëzon ankimimin e PD-së për pavlefshmëri të zgjedhjeve në Kukës!

Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve, (KAS) rrëzoi ankimimin e Partisë Demokratike-Aleanca për Shqipërinë Madhështore për shpalljen e pavlefshmërisë së rezultatit në qarkun e Kukësit për parlamentaret e 11 Majit. Pas zhvillimit të katër seancave, sot dha vendimin duke rrëzuar kërkesën e PD-ASHM/së, me argumentimin se nuk kishte prova të mjaftueshme për të shpallur të pavlefshëm rezultatin dhe për të rinumëruar kutitë.

Anëtari i KAS-it Ilirjan Rusmali:

Detyra jonë nuk ka qenë të përcaktojmë a janë të vërteta apo jo të gjitha faktet e parashtruara në shqyrtimin e kërkesës të qarkut Kukës. Detyra jonë ka qenë që midis morisë së fakteve, të identifikonim ato fakte të cilat kanë lidhje me kërkesën për pavlefshmëri zgjedhjesh. Për këtë të fundit, ne duhej të verifikonim nëse provohej vërtetësia e tyre. Pas kësaj, duhet të verifikonim se sa dhe si këto të fundit kanë ndikuar në rezultatin e zgjedhjeve.

Ky komponent ka shumë rëndësi sepse siç e përcakton Kolegji Zgjedhor në një nga vendimet e veta të dikurshme, nëse nuk provohet ndikimi mbi zgjedhjet gjithçka mbetet në kuadrin e një hipoteze. Vendimi ynë nuk duhet të bazohet mbi hipoteza, por duhet të bazohet mbi prova.

Në shqyrtimin e kësaj çështjeje, ne kemi pasur një avantazh se nga temat e trajtuara në debatin që u  zhvillua këtu në seancë ne i kemi trajtuar edhe më përpara, jo vetëm kur kemi pasur përballë ankuesin, por edhe kur kemi pasur përballë subjekte të tjera.

Rusmali shtoi se në vendimin e arsyetuar “ne do t’i referojmë këto raste të vendimeve tona të mëparshme me qëllim që publiku i interesuar të kuptojë se për ne standardi i gjykimit është prioritet i prioriteteve, se për ne nuk ka rëndësi kë kemi përballë, por çfarë kemi përballë”.

Mbi këto linja arsyetimi kemi marrë vendimin tonë. Vendimin e kemi marrë me shumicë votash dhe kemi vendosur rrëzimin e kërkesës ankimore numër 37, për subjektin zgjedhor PD-ASHM, për shpalljen e pavlefshme të zgjedhjeve të datës 11.05.2025 në zonën zgjedhore të qarkut e Kukësit, si të pambështetur në ligj dhe në prova.

Lënien në fuqi të vendimit të Komisionerit Shtetëror të zgjedhjeve për miratimin e tabelës përmbledhëse të rezultatit të votimit për subjektet zgjedhore dhe kandidatët për deputetë.

Në qarkun e Kukësit, koalicioni PD-ASHM fitoi dy mandate deputetësh, ndërsa Partia Socialiste një deputet.