Aktorja Kate Beckinsale ka kujtuar një moment të dhimbshëm, kur është detyruar të marrë pjesë në një sesion fotografik vetëm një ditë pas një aborti spontan.
Në një video të publikuar në Instagram, 51-vjeçarja ka treguar se është shtyrë nga një menaxher që të vazhdonte punën, megjithëse ndodhej ende nën ndikimin fizik dhe emocional të humbjes së shtatzënisë.

Beckinsale ka treguar se i tha menaxherit:
Nuk mundem. Po më del gjak dhe nuk dua të shkoj dhe të ndryshoj rrobat përpara njerëzve që nuk i njoh dhe të bëj një sesion fotografik. Po humb një shtatzëni.
Por, sipas saj, menaxheri ia ka thënë:
Duhet të shkosh, ose do të paditesh.

Përveç kësaj, Beckinsale ka rrëfyer edhe disa episode të tjera abuzimi që ka përjetuar në industrinë e filmit, duke përfshirë një situatë të rrezikshme gjatë xhirimeve të dy filmave të ndryshëm, ku është dëmtuar, deri në pikën që ka bërë një skanër MRI për të vërtetuar dëmtimet. Ajo ka theksuar se kur ka ngritur zërin për këto probleme, është përballur me akuzat se po sajonte probleme dhe ka qenë e përjashtuar nga aktivitetet e tjera të kastit, përfshirë darkat.
Aktorja ka përmendur gjithashtu se ka kaluar periudha të vështira, kur i janë imponuar dieta dhe regjime stërvitjeje aq të rrepta, sa që ka humbur menstruacionet. Ajo ka thënë se vendosi të fliste për këto ngjarje pas padisë së Blake Lively kundër regjisorit dhe aktorit Justin Baldoni për ngacmime dhe organizimin e një fushate shpifëse ndaj saj, akuza që Baldoni i ka mohuar fuqishëm.
Beckinsale e ka përshkruar këtë situatë si një shembull të një “makine” që aktivizohet kur një grua ankohet për diçka të dhimbshme dhe të dëmshme në këtë industri, duke theksuar se ky fenomen është shumë i dukshëm për femrat që përballen me sjellje të papranueshme në punë. Ajo ka thënë se shpërthimi i rastit të Blake Lively e ka shtyrë të flasë hapur për përvojat e saj dhe të ftojë një reflektim më të thellë mbi trajtimin e grave në industrinë e filmit.