Këngëtari i njohur i grupit norvegjez a-ha, Morten Harket ka bërë të ditur se është diagnostikuar me sëmundjen e Parkinsonit. Harket tregoi se prej kohësh ka pasur vështirësi me zërin, si pasojë e kësaj sëmundjeje progresive që dëmton trurin. “Problemet me zërin janë vetëm një nga arsyet pse ndjej pasiguri për të ardhmen time artistike. Aktualisht, nuk ndjehem i aftë të këndoj dhe kjo për mua është një shenjë e qartë”-tha ai.
Magne Furuholmen, kolegu i tij nga grupi, tha se të gjitha aktivitetet e ardhshme të grupit do të përshtaten sipas gjendjes së Harketit. Lajmin Harket e dha gjatë një interviste në faqen zyrtare të bendit, me biografin Jan Omdahl. “Nuk kam pasur problem ta pranoja diagnozën. Me kohën kam përvetësuar mënyrën e të menduarit të babait tim 94-vjeçar: ‘Përdor atë që ende funksionon’”-tha ai. Në vitin 2024, në Klinikën Mayo në SHBA, Harketit iu vendosën elektroda në të dyja anët e trurit për të zbutur simptomat.
“Po jap më të mirën që të ngadalësoj përkeqësimin e sistemit tim të brendshëm. Është e vështirë të gjesh një ekuilibër mes medikamenteve dhe efekteve të tyre anësore. Ka shumë për të peshuar kur përpiqesh të imitosh mënyrën perfekte se si trupi kontrollon çdo lëvizje, situata shoqërore apo përballjen me jetën e përditshme”-tha Harket.
Ai i dha një mesazh edhe fansave: “Mos më përkufizoni vetëm përmes këngës dhe karrierës. Këndimi është një përgjegjësi për mua, por kam edhe pasione të tjera që janë po aq pjesë e imja dhe po aq të vërteta.” Grupi a-ha u formua në Oslo në vitin 1982, me anëtarë Paul Waaktaar-Savoy (kitarë), Magne Furuholmen (tastierë) dhe Morten Harket (vokal). Ata kanë pasur nëntë këngë në Top 10 të Britanisë, përfshirë hitet botërore Take on Me dhe You Are the One.