Këngëtarja e njohur neozelandeze, Lorde, u detyrua të anulonte koncertin e saj në Rockhal të Luksemburgut vetëm disa orë para se të dilte në skenë, pasi u sëmur rëndë nga helmimi me ushqim. Artistja 29-vjeçare, emri i vërtetë Ella Yelich-O’Connor, njoftoi përmes Instagramit se ishte shumë e sëmurë dhe mezi qëndronte në këmbë. “Luksemburg, më vjen shumë keq t’ju njoftoj se u helmova pamëshirshëm nga ushqimi dhe jam ende shumë e sëmurë për të performuar. Kam pushuar gjithë ditën, por mezi ngrihem në këmbë dhe ju meritoni më shumë”-tha artistja. Lorde u kërkoi falje fansave dhe konfirmoi se po punon me organizatorët për të riplanifikuar datën, ndërsa ofroi mundësinë e rimbursimeve.
Koncerti ishte planifikuar si pjesë e turneut evropian Ultrasound World Tour, që promovon albumin e saj të ri Virgin, i publikuar më 27 qershor. Albumi ka marrë vlerësime pozitive dhe ka debutuar në krye të listave në Australi, Zelandën e Re dhe Mbretërinë e Bashkuar. Lorde ka folur hapur për periudhat e vështira që ka kaluar, përfshirë sfidat mendore dhe presionet mbi trupin e saj. Në një intervistë për BBC Radio 1, ajo rrëfeu se në fillim të vitit 2023 ishte ndier larg krijimtarisë dhe se po përballej me një periudhë të vështirë emocionale. “Nuk mendoja se do të bëja më muzikë”, pranoi ajo, duke shtuar se rikthimi në art e ndihmoi të gjente sërish veten.
Këngëtarja e njohur ka folur së fundmi hapur për një periudhë të vështirë emocionale që për pak sa nuk i dha fund karrierës së saj muzikore. Në një intervistë të sinqertë në BBC Radio 1 me Jack Saunders, këngëtarja tregoi se në fillim të vitit 2023 ishte në një gjendje të rënduar mendore dhe e kishte humbur krejtësisht lidhjen me krijimtarinë. “Ndihesha bosh dhe pa asnjë ide. Çdo gjë që më mbushte mendjen kishte të bënte me peshën, ushqimin dhe stërvitjen. Isha e fiksuar pas idesë për të peshuar sa më pak dhe kjo më kishte bllokuar plotësisht”-u shpreh ajo.