Shkrimtari skocez, Alasdair Gray pati vënë re se qytete si “Firence, Parisi, Londra” kanë frymëzuar aq shumë art, sa “askush që i viziton për herë të parë nuk është i huaj, sepse i ka vizituar tashmë në piktura, romane, libra historie dhe filma”.
Edhe pse Gray ishte më shumë i interesuar për mënyrën si historitë ndikojnë në mënyrën si ne përjetojmë vendet reale, ai kishte plotësisht të drejtë edhe për diçka tjetër: për qytetet që magjepsin shkrimtarët.
Të dhëna të reja nga kompania botuese britanike Aura Print kanë zbuluar se Firence, Parisi dhe Londra janë të gjitha ndër pesë qytetet më të përmendura në letërsinë europiane.
Për të zbuluar cilat janë qytetet që romancierët i duan më shumë, Aura Print “kontrolloi arkivin e Google Books”, duke kërkuar se sa herë përmendet secili qytet i madh midis viteve 1920 dhe 2020, dhe i ktheu rezultatet në një listë.
Në krye të listës ndodhet Londra. Si kryeqyteti letrar i kontinentit, “The Big Smoke” është përmendur plot 286,675,500 herë gjatë një shekulli, gati trefishi i qytetit që renditet pas tij.
Nëse studimi do të kishte shkuar edhe më tej në kohë, ky numër do të ishte edhe më i lartë, pasi disa nga veprat më të famshme për Londrën janë shkruar në shekullin e nëntëmbëdhjetë. Keni dëgjuar ndonjëherë për Oliver Twist?
Në epokën viktoriane, qyteti shërbeu si sfond ideal për letërsinë me tone të errëta dhe gotike që ishte shumë popullore në atë kohë, si Jekyll & Hyde apo The Picture of Dorian Gray.
Ndërsa gjatë 100 viteve të fundit, Londra është portretizuar më shpesh si një metropol me gjallëri, përmes librave si Bridget Jones’ Diary, One Day dhe NW e Zadie Smith, që përshkruajnë jetën reale në qytet.
Në vendin e dytë, me 95,290,475 përmendje, renditet Parisi. Romani më i famshëm i vendosur në kryeqytetin francez është ndoshta Les Misérables, por edhe vepra të tjera ikonike si The Hunchback of Notre Dame dhe The Three Musketeers zhvillohen aty.
Ernest Hemingway ka shkruar shumë për Parisin, si në mënyrë autobiografike, ashtu edhe në romanin The Sun Also Rises.
Siç mund të pritet, “qyteti i dashurisë” është vendndodhja e shumë romaneve romantike, përfshirë edhe një bazuar në martesën e parë të vetë Hemingway-t, me titullin domethënës The Paris Wife.
Në vendin e tretë, Roma, e përmendur 48,840,949 herë. Kryeqyteti italian ndoshta do të kishte dalë edhe më lart në renditje po të ishin përfshirë librat e shkruar përpara vitit 1920, sepse edhe sot, historitë më të famshme të vendosura në Romë janë ato të para shumë shekujve.
Perandoria Romake ishte sfondi i një numri veprash të Shekspirit, për shembull. Sot, shumica e romaneve të bazuara në Romë janë historike, megjithëse ka edhe shumë rrëfime moderne, si Conclave, i cili u përshtat më vonë në një film fitues të çmimit Oscar.
Ja cilat janë dhjetë qytetet më të përmendura në letërsinë europiane, sipas studimit të Aura Print:
Londra
Parisi
Roma
Berlini
Firence
Vjena
Athina
Dublini
Amsterdami
Brukseli/shqip.al