Gossip

Kevin Spacey, nga maja e Hollywood-it te jeta “pa shtëpi”! Si dhe pse ndodhi?

Për më shumë se 20 vite, Kevin Spacey ishte një nga aktorët më të vlerësuar të Hollywood-it, me dy çmime Oscar dhe role të paharrueshme në filma kult.

Por në vitin 2017, në kulmin e suksesit me “House of Cards”, karriera e tij u shemb brenda natës, pasi u vu në qendër të lëvizjes #MeToo me një sërë akuzash për sjellje të papërshtatshme dhe ngacmim seksual.

Reagimi i industrisë ishte i menjëhershëm dhe drastik:

-Netflix ndërpreu bashkëpunimin me të dhe e largoi nga “House of Cards”;

-filmat ku ai kishte luajtur u rimontuan për ta hequr nga skenat;

-projektet e ardhshme u anuluan njëri pas tjetrit.

Edhe pse në vitet 2022 dhe 2023 Spacey u lirua nga akuzat kryesore në Nju Jork dhe Londër, imazhi i tij publik kishte marrë një goditje thuajse të pakthyeshme.

Për më tepër, një vendim gjykate e detyroi aktorin të paguante rreth 31 milionë dollarë producentëve të “House of Cards” për shkelje kontrate, duke e rënduar edhe më shumë situatën e tij financiare.

I larguar nga qendra e Hollywood-it, Spacey është zhvendosur drejt projekteve më të vogla teatrale në Evropë dhe Lindjen e Mesme. Në Limasol, ai prezantoi shfaqjen “Songs & Stories”, një performance muzikore-teatrale shumë larg rolit të yllit të tapetit të kuq që dikur dominonte industrinë e filmit.

Pak ditë më parë, ai u rikthye sërish në titujt e mediave, pasi në një intervistë për The Telegraph deklaroi se “fjalë për fjalë nuk ka shtëpi”, duke treguar se jeton mes hoteleve, Airbnb-ve dhe se sendet e tij janë të shpërndara në depo.

Unë shkoj aty ku ka punë

-tha Spacey, duke përshkruar qartë distancën mes lavdisë së dikurshme dhe realitetit të sotëm.

Pas reagimeve të shumta dhe shqetësimit të fansave, aktori publikoi një video në Instagram për të sqaruar situatën.

Ai tha se ishte prekur nga mijëra mesazhe mbështetjeje dhe oferta për strehim, por theksoi se nuk është realisht “i pastrehë” në kuptimin klasik të fjalës:

Do të ishte mashtruese t’ju lija të mendonit se jam vërtet i pastrehë në kuptimin e përditshëm të fjalës

-u shpreh ai, duke sqaruar se po përjeton një jetë në lëvizje të vazhdueshme, të diktuar nga mungesa e projekteve të qëndrueshme dhe nevoja për të ndjekur çdo mundësi pune që i paraqitet.