Aktori Kevin Spacey ka deklaruar se beson se karriera e tij po merr sërish jetë, pas viteve të vështira të dominuara nga akuzat për ngacmim dhe sulm seksual, të cilat tronditën Hollywood-in dhe e larguan nga projektet më të mëdha.
Në një intervistë për podcast-in “Club Random”, fituesi i dy çmimeve Oscar u shpreh se sot ndien se publiku ka nisur ta shohë ndryshe situatën, veçanërisht pasi është shpallur i pafajshëm në proceset gjyqësore ku u gjykua nga juria.
Duke folur për akuzat, Spacey pranoi se sjellja e tij në disa raste kishte kaluar kufijtë, por këmbënguli se imazhi i krijuar për të nuk përputhet me realitetin.
Unë kurrë nuk kam thënë se nuk ka pasur ‘zjarr’. Thjesht nuk ka qenë një zjarr i madh. Kam flirtuar me shumë burra
-u shpreh aktori, duke shtuar se një pjesë e akuzave, sipas tij, janë ekzagjeruar ose shtrembëruar.
Spacey komentoi edhe çështjen e ngritur nga aktori Anthony Rapp, duke kujtuar se një gjykatë në New York vendosi se ai nuk mbante përgjegjësi civile për pretendimet e ngritura ndaj tij.
Aktori rrëfeu se pas shpërthimit të skandalit humbi pothuajse gjithçka.
Humba rolin në ‘House of Cards’, projektet në Hollywood dhe madje edhe shtëpinë time
-tha ai.
Megjithatë, Spacey u shpreh optimist për të ardhmen, duke theksuar se vitet e fundit ka rifilluar punën në filma evropianë dhe produksione të pavarura, duke besuar se rikthimi i tij në industrinë e filmit ka nisur.
Gjatë intervistës, ai foli edhe për jetën personale, duke pranuar se për shumë vite kishte zgjedhur të mos e bënte publik orientimin e tij seksual.
Sipas tij, edhe pse ishte homoseksual, shumica e njerëzve pranë tij e dinin këtë prej kohësh, ndërsa vendimi për ta pranuar publikisht erdhi shumë më vonë.