Botë e Çuditshme

Kinë, gjendet embrioni i dinosaurit i ruajtur në mënyrë perfekte!

Shkencëtarët kanë njoftuar zbulimin e një embrioni dinosauri të ruajtur në mënyrë perfekte që po përgatitej të dilte nga veza e tij, njësoj si një pulë. Embrioni u zbulua në Ganzhou në Kinën Jugore dhe studiuesit vlerësojnë se është të paktën 66 milionë vjet i vjetër. Besohet të jetë një dinosaur theropod pa dhëmbë, ose oviraptorosaur dhe është quajtur Baby Yingliang. Studiuesi, Dr Fion Waisum Ma, tha se është embrioni më i mirë i dinosaurit i gjetur ndonjëherë në histori.

Zbulimi u ka dhënë gjithashtu studiuesve një kuptim më të madh të lidhjes midis dinosaurëve dhe zogjve modernë. Fosili tregon se embrioni ishte në një pozicion të përdredhur të njohur si “tucking”, që është një sjellje që shihet te zogjtë pak para se të çelin. Dr.Ma tha për agjencinë e lajmeve ‘AFP’ se:

Kjo tregon se një sjellje e tillë në zogjtë modernë fillimisht evoluoi dhe filloi midis paraardhësve të tyre të dinosaurëve.

Oviraptorosaurët, që do të thotë “hardhuca hajdute vezësh”, ishin dinosaurët me pendë që jetuan aty ku tani është Azia dhe Amerika e Veriut gjatë periudhës së Kretakut të Vonë, midis 100 milionë deri në 66 milionë vjet më parë. Paleontologu Prof Steve Brusatte, i cili ishte gjithashtu pjesë e ekipit hulumtues, shkroi në Twitter se ishte “një nga fosilet më mahnitëse të dinosaurëve” që kishte parë ndonjëherë dhe se embrioni ishte në prag të çeljes.

Foshnja Yingliang është e gjatë 27 cm nga koka te bishti dhe qëndron brenda një veze në Muzeun e Historisë së Natyrës Yingliang Stone në Kinë. Veza u zbulua për herë të parë në vitin 2000, por u vendos në ruajtje për 10 vjet. Vetëm kur filloi puna ndërtimore në muze dhe fosilet e vjetra po zgjidheshin, studiuesit e kthyen vëmendjen e tyre te veza, për të cilën ata dyshonin se mbante një embrion brenda. Një pjesë e trupit të dinosaurit është ende e mbuluar nga gurë dhe studiuesit do të përdorin teknika të avancuara skanimi për të krijuar një imazh të skeletit të tij të plotë.