Bota

Në një bunker të dikurshëm, Berlini hap muze kushtuar Ukrainës!

Është e lehtë të bëhesh i pandjeshëm ndaj ngjarjeve botërore, por pikërisht kjo është arsyeja që qëndron pas këtij instalacioni të ri dhe të fuqishëm në kryeqytetin gjerman. Edhe para se të hyjnë brenda, vizitorët “shënjestrohen” nga një dron rus dhe shohin veten në ekranin e kamerës së armës.

Më pas, zbresin në një bodrum pa dritare të një bunkeri kundër bombardimeve të Luftës së Dytë Botërore, i ndërtuar në qendër të Berlinit për civilët, i cili tani është mbushur me rrënoja dhe objekte nga vija e frontit të luftës Ukrainë-Rusi.

Ky është Muzeu i Ukrainës, i hapur javën e kaluar për të shënuar përvjetorin e katërt të luftës në vazhdim dhe u krijua me ndihmën e Muzeut Kombëtar të Historisë Ushtarake në Kiev, si edhe të trupave nga vija e frontit të Korpusit të 7-të të Reagimit të Shpejtë në Pokrovsk.

Muzeu përdor gjithçka, nga fotografitë e konfliktit te pajisjet e dëmtuara, për të treguar historinë e luftës, si dhe përfshin rrëfime të drejtpërdrejta të njerëzve, jetët e të cilëve janë ndryshuar nga konflikti.

Duam t’u tregojmë njerëzve diçka nga realiteti fizik i konfliktit, tha Wieland Giebel, kurator i muzeut. Shpresojmë t’ua bëjmë të qartë se kjo është një luftë që po zhvillohet këtu dhe tani në Europë e se injorimi i saj mund të ketë pasoja.

Me bashkëkuratorin Enno Lenze, Giebel udhëton rregullisht në Ukrainë për të dërguar ndihma (ku përfshihen edhe jelekë antiplumb për fëmijë) e për të sjellë artefakte të reja që të përfshihen në muze.

Të varur nga tavani janë 20 dronë rusë, ndërsa dyshja ka rikrijuar edhe një raketë ruse përmes printimit 3D, e vendosur pranë një fotografie të ndërtesës që u dëmtua nga arma origjinale. Një nga pikat kryesore të koleksionit është një Fiat Scudo që dikur shërbente si “taksi sociale”, një automjet që përdorej për të evakuuar banorë të moshuar e për të transportuar drejt spitaleve, fëmijë të plagosur.

Në prill 2025, Oleg Salnyk, një punonjës ndihmash 28-vjeçar dhe miku e kolegu i tij Oleg Degusarov po drejtonin automjetin kur u godit nga një dron rus; vetëm Degusarov mbijetoi. Makina ndodhet në mes të muzeut, me sediljet e njollosura me gjak dhe xhamin e përparmë të thyer, të ekspozuara hapur.

Njerëzit rrezikojnë të lodhen nga lufta, tha Giebel. Kjo është një ekspozitë e gjallë dhe në lëvizje, që synon t’i tronditë e t’i zgjojë nga kjo ndjenjë. / shqip.al