Futbolli modern nuk fitohet vetëm në fushë, por edhe pas kuintave – dhe klubet më të mëdha të botës po e kuptojnë këtë më mirë se kurrë. Real Madrid, Manchester City, Bayern Munich, si dhe ekipe nga Kupa e Botës për Klube si Flamengo dhe Palmeiras, po investojnë fuqishëm në Inteligjencën Artificiale (IA) për të ruajtur shëndetin e lojtarëve dhe për të minimizuar rrezikun e lëndimeve.
Falë kamerave, sensorëve dhe pajisjeve inteligjente, klubet analizojnë ngarkesën fizike, cilësinë e gjumit, hidratimin, ushqyerjen dhe mirëqenien emocionale të lojtarëve në kohë reale. Këto të dhëna ndihmojnë në përshtatjen individuale të stërvitjes dhe në parandalimin e lëndimeve potenciale.
Sipas Dr. Rodrigo Zogaib nga Santos FC, përdorimi i IA përfshin vlerësime mjekësore, fizioterapie dhe fiziologjike, duke reduktuar mundësinë e dëmtimeve deri në 30%.
Sven Mueller nga CUJU shton se analizat e personalizuara, të realizuara përmes teknologjisë, ndihmojnë klubet të kuptojnë nevojat teknike, fizike dhe mendore të çdo lojtari, si dhe të parashikojnë rritjen e tyre në vlerë dhe potencial sportiv.
Ndërkohë, Tulio Horta nga Volt Sports Science thekson rëndësinë e një qasjeje të integruar që përfshin neuroshkencën, psikologjinë sportive dhe rikuperimin, për të nxjerrë në pah potencialin maksimal të atletëve.
Në një kohë kur çdo detaj ka rëndësi, Inteligjenca Artificiale po bëhet aleati më i fuqishëm i klubeve për të mbajtur lojtarët në formë, të gatshëm dhe jashtë listës së të lënduarve. E ardhmja e futbollit është gjithnjë e më shumë teknologjike.