Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, ka prezantuar në Kuvend projektligjin për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin “Për mbrojtjen e tokës bujqësore”, duke theksuar se ndërhyrjet synojnë përshtatjen e kuadrit ligjor me zhvillimet e reja të sektorit.
Salla deklaroi se ndryshimet nuk prekin parimet bazë të mbrojtjes së tokës bujqësore, por synojnë të rregullojnë përdorimin e teknologjive moderne në prodhim.
Sipas ministrit, projektligji krijon hapësira për zhvillimin e metodave inovative të kultivimit, të cilat mundësojnë përdorim më efikas të ujit, lëndëve ushqyese dhe burimeve natyrore, duke rritur produktivitetin dhe qëndrueshmërinë e bujqësisë.
“Ne nuk po ndryshojmë mënyrën se si mbrohet toka bujqësore. Po ndryshojmë mënyrën se si e zhvillojmë aktivitetin bujqësor mbi këtë tokë”, u shpreh Salla.
Ai theksoi se ligji aktual është miratuar në vitin 2004, në një periudhë kur bujqësia shqiptare funksiononte kryesisht mbi modele tradicionale, ndërsa sot sektori përballet me kërkesa të reja për rritjen e prodhimit përmes teknologjisë.
Sipas tij, sfida e bujqësisë moderne nuk është vetëm zgjerimi i sipërfaqeve të kultivuara, por prodhimi më i madh me më pak burime, përmes teknologjive që kursejnë ujin, reduktojnë inputet dhe rrisin vlerën e shtuar për fermerët.
Ministri shtoi se ndryshimet synojnë t’u japin fermerëve dhe investitorëve më shumë siguri juridike, duke ruajtur funksionin kryesor të tokës bujqësore si bazë për prodhimin agro-ushqimor.