Bota

Kompensim financiar, trupa ushtarakë dhe shkëmbime territoresh, ja çfarë parashikon propozimi europian për paqe në Ukrainë!

Një kundërpropozim për paqe për Shtetet e Bashkuara dhe Rusinë po hartohet nga evropianët, sipas Reuters, në një përpjekje për të krijuar një kornizë më të ekuilibruar për përfundimin e luftës në Ukrainë.

Plani fillestar SHBA-Rusi, i cili përfshinte 28 pika, kishte shkaktuar reagime të forta pasi u konsiderua shumë i ashpër për Kievin, duke parashikuar, ndër të tjera, lëshimin e territorit dhe një reduktim drastik të forcave të armatosura ukrainase.

LEXO EDHE: Erdogan do të zhvillojë bisedë telefonike me Putinin ditën e nesërme, në fokus lufta në Ukrainë!

Kundërpropozimi europian, sipas një dokumenti të cituar nga Reuters, modifikon pikat kryesore të planit origjinal dhe parashikon siç vijon më poshtë:

Një limit maksimal prej 800,000 ushtarësh për ushtrinë ukrainase në kohë paqeje, në vend të limitit amerikan prej 600,000.

Anëtarësimi i Ukrainës në NATO do të varet nga pëlqimi i të gjithë anëtarëve të Aleancës, i cili, siç u tha, “aktualisht nuk ekziston”.

NATO nuk do të mbajë forca të përhershme nën komandën e saj në territorin ukrainas në kohë paqeje.

Ukraina do të kompensohet financiarisht, kryesisht përmes aseteve ruse që do të mbeten të ngrira derisa Moska të paguajë dëmshpërblime për dëmet e luftës.

Kievi do të zotohet të mos i rimarrë territoret e pushtuara me mjete ushtarake.

Negociatat për shkëmbimet territoriale do të fillojnë në të ashtuquajturën “vijë kontakti”.

Ukraina do të mbajë zgjedhje sa më shpejt të jetë e mundur pas nënshkrimit të një marrëveshjeje paqeje.

Së fundmi, Ukraina do të marrë garanci sigurie nga Shtetet e Bashkuara, ekuivalente me ato të parashikuara në Nenin 5 të NATO-s, pra mbrojtje e përbashkët në rast të një sulmi.