Teksa në Gjenevë ekipet negociatore po zhvillojnë diskutime mbi planin e tij me 28 pika për paqen në Ukrainë, Presidenti amerikan Donald Trump shpërndau në rrjetin social Truth një status, ku shkruan akuza edhe ndaj Kievit zyrtar edhe ndaj Evropës. Lidershipi ukrainas ka shprehur zero mirënjohje për ndihmën amerikane thotë Trump, ndërsa Evropa siç shkruan, vijon të blejë naftë ruse.
Nga ultimatumi i Trumpit drejtuar Kievit, “pranoje ose lëre” deri të enjten (Dita e Falënderimeve në SHBA) te rihapja e ndërmjetësimit diplomatik, me takimin e kësaj të diele në Zvicrën neutral, mes ukrainasve, amerikanëve dhe evropianëve. Ky është zhvillimi më i fundit në krizën ukrainase, pas qëndrimit të ftohtë të Zelensky-t dhe kundërshtimit të aleatëve evropianë ndaj planit të paqes me 28 pika të presidentit amerikan. Një kthesë e konfirmuar edhe nga hapja e dukshme e vetë Donald Trumpit.
“Lufta duhet të përfundojë në një mënyrë ose në një tjetër”, u tha ai gazetarëve para se të luante golf. Por ai u përgjigj “jo” kur u pyet nëse kjo ishte oferta e tij e fundit për Kievin, duke sugjeruar se ndoshta ka ende hapësirë dhe kohë për të rafinuar marrëveshjen.
Komenti i tij vjen ndërsa Ukraina dhe aleatët evropianë të Uashingtonit pohojnë se plani i paqes mund të shërbejë si bazë për bisedime, por kërkon “punë të mëtejshme”.
Sfida e re ekzistenciale për Kievin dhe Kontinentin e Vjetër është zhvendosur aktualisht në Gjenevë, ku një delegacion i madh ukrainas i udhëhequr nga Andriy Yermak do të takohet me të dërguarin e SHBA-së Steve Witkoff dhe Sekretarin e Shtetit Marco Rubio. Por disa senatorë amerikanë kanë pohuar se Rubio u ka thënë atyre se plani i paqes i Trump për Ukrainën nuk është qëndrimi zyrtar i SHBA-së. Rubio dyshohet se i ka telefonuar, duke pretenduar se plani me 28 pika është një “listë dëshirash ruse”.
“Kjo është haptazi e rreme”, u përgjigj Departamenti i Shtetit. “Siç e kanë deklaruar vazhdimisht Sekretari Rubio dhe e gjithë administrata, ky plan është hartuar nga Shtetet e Bashkuara, me kontributin si nga rusët ashtu edhe nga ukrainasit”.
Evropa gjithashtu është angazhuar në takimin e Gjenevës, me udhëheqëit e Francës, Gjermanisë dhe Britanisë së Madhe të cilët kanë dërguar këshilltarët e tyre të sigurisë. Bashkimi evropian do të përfaqësohet nga shefi I kabinetit të presidents së Komisionit europian Ursula Von der Leyen, dhe bashkëpunëtorin kryesor të Presidentit të Këshillit evropian, Antonio Costa.
Ky i fundit, ka ftuar të 27 udhëheqësit e BE-së në një takim të posaçëm mbi Ukrainën, që do të mbahet të hënën në kuadër të samitit të Bashkimit Evropian-Bashkimit Afrikan. Ai e njoftoi lajmin në mediat sociale.
Trafiku ajror civil dhe ushtarak në Aeroportin e Eindhovenit në Holandë u pezullua dhe më vonë u rihap pasi u njoftuan disa dronë.