Aktualitet

Komunikonin për shit-blerje votash, një në pranga dhe një në hetim në Tiranë!

Ndërsa afron dita e zgjedhjeve vendore, në vëmendje rikthehet fenomeni i shit-blerjes së votës. Një 52-vjeçar u arrestua në Tiranë dhe një shtetas tjetër i moshës 61-vjeç po hetohet në gjendje të lirë pasi komunikonin për shit-blerje votash për një subjekt politik më 14 Maj.

Pamjet filmike janë postuar në portale, ndërsa uniformat blu ndërhynë në kuadër të operacionit policor të koduar “Premtuesi”.  Materialet i kaluan SPAK-ut, Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, për veprime të mëtejshme.

Në njoftimin zyrtar të Policisë Tiranë thuhet:

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Korrupsionit në DVP Tiranë, në vijim të punës për goditjen e çdo paligjshmërie, bazuar në pamjet filmike të postuara në portale, në të cilat shfaqet një shtetas që komunikon për shit-blerje votash, menjëherë kanë organizuar punën dhe kanë finalizuar operacionin policor të koduar “Premtuesi”.  Si rezultat, u bë arrestimi i shtetasit K. A., 52 vjeç, banues në Tiranë, si dhe nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin A. D., 61 vjeç, banues në Tiranë.

Të dy këta shtetas janë shfaqur në një video, duke komunikuar me njëri-tjetrin, për shit-blerje votash për një subjekt politik.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, për veprime të mëtejshme.

Në një tjetër zhvillim, vihen nën hetim dy persona që dyshohet se kanë kërcënuar administratorin e Buzit në Memaliaj, të mos votojë në zgjedhjet e 14 Majit. Pas kallëzimit në polici nga Fatjon Isufi, nisi procedimi ndaj 44-vjeçarit me iniciale K.Z. dhe 60-vjeçarit Y.H.

Njoftimi i policisë:

Shërbimet e Stacionit të Policisë Memaliaj, pas kallëzimit të bërë nga shtetasi F. I., se ishte kanosur nga 2 shtetas, për mospjesëmarrje në zgjedhje, menjëherë kanë kapur dhe shoqëruar në ambientet e Policisë, shtetasit e dyshuar, si dhe kanë vënë në dijeni prokurorin e gatshëm.

Në përfundim të veprimeve të para proceduarale, të kryera në drejtimin e Prokurorisë, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Tepelenë referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasit K. Z., 44 vjeç dhe Y. H., 60 vjeç, banues në Memaliaj, pasi në fshatin Buz, Memaliaj, kanë kanosur me fjalë, për mospjesëmarrjen në zgjedhje, shtetasin F. I., me detyrë administrator i njësisë administrative Buz, Memaliaj.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.