Aktualitet Politikë

Konferenca e Kryetarëve, PD-ja kërkoi mocion me debat për protestën, s’ka dakordësi!

Debate mes opozitës dhe maxhorancës sot në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve ku u diskutua kërkesa e Partisë Demokratike për zhvillimin e një mocioni me debat lidhur me protestën dhe kërkesat e qytetarëve. Nuk u gjet dakordësia dhe vendimmarrja i kaloi seancës plenare së radhës.

Deputetja demokrate, Jorida Tabaku tha se Kuvendi është “jashtë realitetit”, duke theksuar se nuk mund të injorohet prania e qytetarëve në protestë prej 25 ditësh përpara parlamentit. Tabaku vuri në dukje se protestuesit kërkojnë largimin e qeverisë e kanë ngritur shqetësime që sipas saj, janë reflektuar edhe në raportet e Parlamentit Europian.

Ky Parlament është totalisht jashtë realitetit. Nëse ju, si maxhorancë, kërkoni të silleni kështu, ne si opozitë nuk do ta lejojmë.

Ju nuk mund të silleni normalisht në këtë sallë, kur sheshi përpara saj prej 25 ditësh është i mbushur plot me qytetarë që kërkojnë largimin e qeverisë dhe të kryeministrit e që kanë kërkesa konkrete.

Zëri i kësaj proteste ka shkuar deri në Parlamentin Europian dhe shqetësimet e tyre janë bërë pjesë e raporteve të fundit të Parlamentit Europian.

Kryetari i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi akuzoi maxhorancën se po shmang debatin për raportin e Parlamentit Europian për Shqipërinë, duke theksuar se “përmban kritika për korrupsionin, ligjet klienteliste dhe lirinë e medias”.

Pse i fshiheni debatit për raportin e Parlamentit Europian? Hajdeni dhe ta bëjmë debatin në seancë! Gjeni paragrafin që ju vlerëson! Keni dy javë që na keni lodhur veshët duke folur për një rezolutë historike që sipas jush, vërteton sukseset e mëdha të qeverisë.

Atëherë pse fshiheni? Apo e vërteta është një tjetër? Kjo rezolutë ju nxin në çdo fjali, nga fillimi deri në fund. Ajo flet për ligje korruptive. Ju tërheq vëmendjen për mbrojtjen politike që i bëtë korrupsionit të Belinda Ballukut.

Bardhi shtoi se opozita nuk pretendon të përfaqësojë protestën, por të përcjellë shqetësimet e qytetarëve në institucionet parlamentare. Ndërkaq, deputetja e PD-së, Ina Zhupa deklaroi se është “e turpshme” që sipas saj “të fabrikohen prova për të sulmuar protestuesit”.