Kryeministri Edi Rama reagoi lidhur me debatin publik të krijuar mbi një projekt në zonën e Zvërnecit, duke e cilësuar si “lajm të rremë” pretendimin se shteti po fal pasuri publike.
Rama tha se nuk bëhet fjalë për asnjë falje të pronave shtetërore, duke theksuar se në rastin e Zvërnecit shteti nuk disponon asnjë pasuri atje, pasi zona që po jepet për investim është pronë private.
Për zhurmën e madhe të ngritur mbi një lajm të rremë, sa nuk thuhet, se gjoja shteti po fal Zvërnecin, sqaroj se shteti nuk po fal asgjë, pasi aty nuk ka asgjë për t’u falur. Ajo është pronë private dhe investitorët e përfshirë në atë proces janë seriozë dhe atë rol e kanë marrë nga privatët.
Kreu i qeverisë shtoi se roli i shtetit lidhet me një tjetër pjesë të projektit, konkretisht në zonën e Sazanit, ku sipas tij, ende nuk kanë përfunduar negociatat e ku është e përfshirë edhe Korporata Shqiptare e Investimeve.
Shteti, nga ana tjetër, ka pasuri në anën tjetër të projektit, që është Sazani, ku ende sot nuk kanë përfunduar negociatat, pasi Korporata Shqiptare e Investimeve është pjesë e projektit. Shteti shqiptar do të jetë aty dhe toka e ishullit do të mbetet pronë e shtetit shqiptar.
Deklarata e Ramës vjen në kuadër të debatit publik mbi projektet zhvillimore në zonën bregdetare të Zvërnecit, ku banorët dolën në protestë me kërkesat që të mos preket zona e mbrojtur.
Zyrtarisht, sot u prezantua Albanian Digital Solutions (ADS), një kompani e re shtetërore e krijuar për të zhvilluar, për të operuar dhe për të mirëmbajtur sistemet digjitale të administratës publike, në një lëvizje që synon të reduktojë varësinë nga kontraktorët privatë e të forcojë kapacitetet teknologjike të shtetit.
Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit do të ketë në përbërje edhe shoqërinë aksionere “Albanian Digital Solution”.
Kryeministri Rama e cilësoi këtë hap një domosdoshmëri për fazën aktuale të qeverisjes elektronike, ndërsa vlerësoi AKSHI-n si një histori suksesi me mbi 1 mijë e 200 shërbime online e rreth 3 milion përdorues.